1

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka mbledhur në tryezën e iftarit gazetarët më të njohur në vend, si dhe përfaqësues të ndryshëm të medias në Shqipëri, në shenjë respekti të punës dhe misionit të tyre fisnik në informimin e publikut.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj pasi u uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të medias, u shpreh se përveç vlerave që ka ky muaj për  myslimanët, ka edhe një specifikë tjetër shumë të veçantë, pasi është muaji i Kuranit dhe se Kurani është i lidhur ngushtë me fjalën.

“Në këtë muaj ka zbritur Kurani famëlartë dhe fjala e parë e Kuranit është “Ikra”, lexo, pra fjala dhe besoj askush me mirë se ju nuk e di magjinë e fjalës, se sa e rëndësishme është ajo për njeriun, për shoqërinë, për subkoshiencën e njerëzve, kur përdoret për mirë, kur përdoret për promovimin e vlerave universale, apo kur përdoret për të cekur anën shpirtërore”, tha z. Bruçaj.

Ai shtoi më tej se: “Roli i medias është shumë i rëndësishëm dhe dëshira dhe vullneti ynë është që të kemi pranë opinionit publik, t’i sqarojmë gjërat siç duhet edhe shoqëria, por edhe ju ta ndjeni dhe njihni më afër kontributin, që ka ky institucion në të mirën publike, në të mirën e përbashkët, sepse mirëqenia sociale arrihet vetëm me kontributin e përbashkët”.

Ndërkohë në një intervistë për mediat nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, u shpreh se gjatë gjithë muajit të ramazanit Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizon iftare të ndryshme me grupe të ndryshme të shoqërisë.

“Sot ne kemi organizuar këtë iftar me gazetarët të cilët janë një kontingjent shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë, të cilët shërbejnë për informimin e publikut dhe synimi i iftareve, që ne organizojmë është që njerëzit të jenë sa më afër njëri-tjetrit, të komunikojnë dhe të zhvillojnë ide të ndryshme, se si mundet të kontribuojnë për shoqërinë. Qoftë simbolikisht, qoftë edhe praktikisht iftaret nënkuptojnë bashkëpunimin, afrimin edhe të njerëzve me këndvështrime e mendimeve të ndryshme dhe pse jo edhe të besimeve të ndryshme e më gjerë”, tha z. Zaimi.

Të pranishëm në iftar ishin, analistë, drejtues të mediave, gazetarë të televizioneve, radiove, shtypit të shkruar dhe atij online.

Komunitetit Mysliman i Shqipërisë përgjatë gjithë muajit të Ramazanit, ka shtruar iftare me grupe të ndryshme të shoqërisë, duke pasqyruar frymën e solidaritetit në këtë muaj të bekuar.

30 Qershor 2015

foto kryesore

 

ZK1A0086   ZK1A0133