Drejtor: Edison Hoti

Drejtoria e Vakf-Investimeve ndjek dhe zbaton vendimet e Kryesisë së KMSH-së për evidentimin, ruajtjen dhe miradministrimin e pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në shkallë vendi.

Drejtoria e Vakf-Investimeve mban lidhje me zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, dhe të arkivave në rrethe dhe qarqe me qëllim që të tërheqë nga këto zyra aktet zyrtare për pronat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, përgatit dokumentacionin e nevojshëm dhe i paraqet në Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pranë Qarqeve me objektiv kthimin dhe kompensimin e pronave të KMSH-së në të gjithë Republikën e Shqipërisë

Administron pronat e kthyera duke u interesuar për shtimin e të ardhurave si dhe ndjek kryerjen e investimeve në vakëfe që janë pronë e KMSH-së.

Krijon dhe pasuron arkivin e pronave në shkallë vendi. Krijon, në dy kopje, regjistrat e pronave, nga të cilat origjinalin e arkivon dhe kopjen tjetër e përdor për veprimtarinë operative të drejtorisë. Sistemon dhe ndan, sipas rretheve dhe për çdo myftini, dokumentacionin për pasuritë e paluajtshme.

Kontrollon, jo më pak se një herë në dy vjet, myftinitë për administrimin e pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Përgatit dhe zhvillon seminare me administratorët dhe me myftinjtë për probleme të pronave dhe administrimin e tyre.

Përgatit udhëzime për procedurat që duhen ndjekur nga myftinitë në shkallë vendi, për mënyrat dhe rrugët që duhen ndjekur për sigurimin dhe tërheqjen e akteve zyrtare nga organet kompetente dhe përpunimin e paraqitjen e tyre në KKKP pranë qarqeve.

Ndjek regjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në shkallë vendi.