Komuniteti Mysliman shtroi mbrëmë iftarin e parë të këtij Ramazani

Në këtë iftar morën pjesë besimtarë të shumtë, personalitete të shoqërisë civile, gazetarë, politikanë, ndër ta, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, z. Taulant Balla, ministret Spiropali dhe Muzhaqi. Ishin të pranishëm gjithashtu diplomatë të vendeve të ndryshme mike.

Iftari i parë, natën e parë të Ramazanit, është prej vitesh një traditë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Mbrëmë ishte një rikthim pas ndërprerjes për shkak të pandemisë covid-19.

Kryetari i KMSH, nën kujdesin e të cilit u shtrua edhe Iftari, mbajti një fjalë të shkurtër për të pranishmit:

Të dashur klerikë të besimeve fetare në Shqipëri.

I dashur kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.

Ambasadorë të vendeve mike.

Të dashur të pranishëm.

Më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj në këtë tryezë iftari.

Sot, për ne dhe mbarë besimtarët myslimanë në të gjithë botën filloi një rrugëtim shpirtëror, dhe jo vetëm, siç është agjërimi i Ramazanit.

Falenderimet i takojnë Zotit që na bëri të mundur të mblidhemi së bashku në këtë iftar, pas një shkëputjeje të gjatë për shkak të pandemisë COVID-19.

Duke shprehur kënaqësinë për praninë tuaj sonte këtu, ju lutem më lejoni të uroj të gjithë ata që kanë agjeruar ditën e sotme.

Zoti ua pranoftë!

Muaji i Ramazanit është një nga adhurimet tona më të larta, ku besimtarët e devotshëm privojnë veten nga ushqimi, uji, pa harruar edhe shumë sjellje të tjera jo të pëlqyeshme. “Ai që nuk i lë gënjeshtrën dhe shpifjen, le ta dijë se Zoti nuk ka nevojë që ai të largohet nga ushqimi dhe pirja.”

Ky është muaji i Kuranit, muaji i mëshirës, paqes dhe solidaritetit njerëzor.

Në këtë muaj e mira fiton mbi të keqen, sikur thotë edhe profeti Muhamed (a.s.) se, në këtë muaj lidhen edhe djajtë.

Në këtë muaj, përveç agjërimit, është e rëndësishme të rritet solidariteti mes nesh.

Të shtrihet dora e ndihmës ndaj nevojtarëve.

Të pajtohemi mes njëri-tjetrit.

Ramazani është muaj i fisnikërimit njerëzor, forcim i dashurisë dhe shpërfaqje e mëshirës.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij iftari!

Është fat që jetojmë në një shoqëri me tolerancë të shquar fetare dhe kulturore.

Prania e gjithësecilit prej jush këtu e dëshmon këtë.

Para se të mbyll fjalën me lejoni të shtroj përunjësisht një kërkesë dhe një lutje.

Kërkesa është për të gjithë njerëzit, të cilëve Zoti u ka dhënë rrisk më shumë se të tjerët, u ka dhënë pasuri, jepni nga pasuria juaj për të varfërit, të cilët mund t’i keni në pallat, lagje apo qytetin tuaj. Vendi ynë, ashtu si shumë të tjera, vuajti pasojat e një tërmeti shkatërrimtar, më pas kaloi një sprovë të gjatë me pandeminë dhe së fundi po përjeton krizën e çmimeve të rritura të ushqimeve. Ne nuk jemi vend i pasur si kundër vendet e zhvilluara, prandaj bëhuni zemërgjerë, në pasurinë tuaj ka pjesë edhe i varfëri, ndihmojini ata. Zoti na premton shpërblime të mëdha jo vetëm në botën tjetër, por edhe në këtë botë. Pasuria shtohet kur jep sadaka e pastrohet kur jep zekatin.

Lutja është për të gjithë agjëruesit për herë të parë dhe për ata që janë një hap larg këtij adhurimi. Ju inkurajoj të provoni shijen e pakrahasueshme të këtij adhurimi. Agjërimi do t’ju ndryshojë jetën dhe këndvështrimin për të.

I lutem Zotit që bota të gjejë sa më shumë paqe e qetësi.

I lutem Zotit ta begatojë vendin dhe popullin tonë.

Edhe njëherë ju falënderoj për prezencën!

Ju bëftë mirë iftari dhe gëzuar Ramazanin!