Të fitosh kënaqësinë e Zotit (xh.sh.) nuk mjafton vetëm adhurimi mekanik! Dua të ndaj me ju të dashur besimtarë një rrëfim me shumë mësime për ne nga jeta e Profetit Muhamed (a.s.).
Siç dihet, profeti (a.s.) kishte leje nga Zoti (xh.sh.) të jepte edhe lajmërime nga e fshehta (gajbi). Ashtu siç na ka lënë porosi për ngjarje të cilat kanë ndodhur dhe do të ndodhin deri në Ditën e Kijametit, Ai (a.s.) shpesh herë, me shembuj konkret, na jepte edhe identikitin e një banori të xhennetit. Ndërsa ndodhej në shoqërinë e sahabëve të nderuar në xhami, profeti (a.s.) u thotë atyre, -tani do vijë mes nesh, një burrë nga banorët e xhenetit.
Ai ishte fjalëdrejtë dhe gjithçka nxirte goja e Tij ishte e vërtetë absolute, ngase, ai lajme të tilla nuk i kishte nga vetja, por nga i Gjithëdijshmi, Zoti (xh.sh.).
Shokët e profetit (a.s.) vërenin se pas kësaj hynte në xhami një burrë krejt normal, i thjeshtë, i cili kryente adhurimin dhe dilte nga xhamia e nisej për në shtëpinë e tij.
Pra, nuk vërehej ndonjë veçori që ta veçonte këtë person.
Kjo gjë i habiste sahabet e nderuar, pasi kjo ngjarje u përsërit për tre ditë rresht.
Njëri prej tyre, Abdullah ibn Amr, kureshtar për atë që e kishte bërë këtë person një nga banorët e xhenetit që në këtë botë, shkon në shtëpinë e tij me qëllim që të zbulojë shkakun.
Qëndroi Abdullah ib Amr tre ditë rresht si mik në shtëpinë e njeriut për të cilin profeti (a.s.) kishte thënë se do të jetë nga banorët e xhennetit.
Nuk vërejti asgjë të veçantë dhe diferencuese në jetesë, sjellje dhe adhurime te ky person.
Ai ishte një mysliman i zakonshëm.
Pas qëndrimit tre ditë në shtëpinë e tij, Abdullahu vendosi ta pyesë.
-Kam dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë për tri ditë rresht, ndërsa ju hynit në xhami se, -personi që do të hyjë tani në xhami është prej banorëve të xhennetit.
Çfarë pune të mirë bëni ju që keni fituar një privilegj të tillë?
Besimtari, jo pa habi, u përgjigj:
-Për Zotin, nuk veproj asgjë më shumë nga ato që ke vënë re ti këto tri ditë.
Një përgjigje e tillë e konfuzoi Abdullah ibn Amr, i cili u nis të dilte nga shtëpia e besimtarit.
Besimtari, i cili mori këtë lajm të mrekullueshëm, lajm i thënë nga vetë Ai, i dërguari i Zotit (xh.sh.), solli ndërmend veprat që bënte për të kuptuar cila ishte ajo që e bëntë atë xhennetli.
-I thirri Abdullahut i cili po largohej, -o Abdullah! Eja se do të tregoj atë vepër që mendoj se më ka bërë të fitoj këtë gradë dhe privilegj!
Kur Abdullahu u afrua ai i tha:
-Nuk veproj asgjë më shumë se ato që pe, veçse nuk ia kam me hile asnjë besimtari dhe nuk kam zili e smirë askënd që Zoti i ka dhënë privilegje e të mira, dhe çdo natë para se të bie të fle gjumë ua bëj hallall të gjithë atyre që më kanë hyrë në hak gjatë ditës dhe i lutem Zotit t’i falë ata.
-Është pikërisht kjo, ajo që të dalloi dhe të bëri nga banorët e xhenetit që në këtë botë, i tha Abdullah ibn Amr këtij besimtari të nderuar dhe u largua nga shtëpia e tij.
Besimi i pastër, adhurimi i pastër në një zemër të pastër, janë një kismet i madh për besimtarin.
Zoti na bëfte rrisk një kismet të tillë!