Kolegji Universitar Bedër, diplomoi brezin e katërt të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Përpos studentëve të shumtë të cilët hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një etapë mjaft të rëndësishme në jetën e tyre, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Rektori i Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Güngör Turan, personalitete të shumtë nga bota akademike, përfaqësues institucionesh publike e private si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.

Tashmë në vitin e gjashtë akademik Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 220 specialistë të rinj në fushën e Edukimit, Drejtësisë, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Turke etj.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse rektori i institucionit z. Gjana uroi studentët e diplomuar dhe u shpreh entuziast për suksesin e arritur në këto tre vite. Më tej theksoi se dyert e institucionit që ai drejton do të jenë gjithmonë të hapura për mbështetjen e mëtejshme ndaj studentëve.

“Jini të sigurtë, ashtu si dhe prindërit tuaj se ne do të jemi pranë jush dhe me ju në çdo moment që do të keni nevojë”- tha ai.

Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj u ndal në imazhin dhe cilësinë që ka ndërtuar Kolegji Universitar Bedër deri më tani. Ai i inkurajoi studentët e diplomuar që të përpiqen të gjejnë gjithmonë më të mirën në drejtimet që do të marrin në jetë.

“Ky institucion ju dha më të mirën e tij përgjatë gjithë programit të studimit, ju pajisi me aftësitë e nevojshme për të qenë më të mirët në tregun e punës, tashmë erdhi momenti juaj për ta dëshmuar këtë gjë”- përfundoi ai.

Ceremonia vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës sipas programeve të studimit. Ermelinda Gjeci, u vlerësua si studentja me mesataren më të lartë në programin Bachelor në Drejtësi, Xhorxhina Seferi si studentja më e mirë në Shkenca Islame, Ola Kafazi në Arsim Parashkollor dhe Fillor, Ersida Kurtaj në Psikologji Këshillimi dhe Pedagogji, Donisa Perseku në Shkenca Komunikimi, Zamira Aga në Gjuhë dhe Letërsi Angleze si dhe Enxhi Kamberi në Gjuhë dhe Letërsi Turke.

Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit.

         

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë