Departamenti i Shkencave Islame në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, ka zhvilluar takimin e katërt, ku kanë diskutuar rreth veprës së Kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939).

Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe Dekani i Fakultetit tw Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi bashkëbiseduan me studentët rreth veprës Kolana “Zani i Naltë”.

Dr. Genti Kruja paraqiti një përmbledhje të përgjithshme të historikut të revistës, artikujve të fushave të ndryshme të Shkencave Islame dhe Sociale. Ai foli gjithashtu për penat e shquara të kësaj reviste nga dijetarët myslimanë shqiptarë të viteve 20-30 te shek. XX, si dhe për mesazhet akoma aktuale, që përcjell edhe sot pas 95 vitesh nga themelimi i saj.

Ndërkohë Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, bëri një analizë të përmbajtjeve të revistës, duke theksuar rëndësinë, që ajo kishte dhe ka për komunitetin mysliman të shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në veçanti për vlerat e ruajtura të Gjuhës Shqipe.

Ndërkohë ai ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e revistave “Zani i Naltë” për të mbështetur kërkimet e tyre shkencore në të ardhmen.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame.

Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.