prindi model-zyra gruas (4)Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë organizoi simpoziumin me temë “Prindi model” ku u diskutua gjerësisht mbi këtë temë, mbështetur në ajetet kuranore dhe në thëniet profetike.

Në panelin e këtij simpoziumi ishin: Fatma Karaj përgjegjëse e Zyrës së Gruas në KMSH, Nevila Qardaku psikologe, Marsela Tarelli mësuese.

Znj. Fatma Karaj në fjalën e saj drejtuar pjesëmarrësve, theksoi se i dërguari i Allahut na ka treguar se edukimi i mirë i fëmijëve është trashëgimia më e mirë “Prindërit nuk mund t’i lënë fëmijës së vet asgjë më të mirë dhe më të çmueshme se sa edukimin e mirë”. Fëmijë do të thotë e ardhme. Dhe mos të harrojmë që Islami përfaqësohet nga njerëzit. Po qe se foleja familjare që keni për të ngritur ose që keni ngritur, është në një kuadër që do të bënte të kënaqur Allahun (xh.xh.) dhe Profetin (s.a.s.), mund të thuhet se premton të ardhme. Por po qe se brezat e përgatitur nga ju u janë lënë amanet rrugëve dhe janë në opozicion me fenë, madje, armiq të saj, ata konsiderohen të pafat, kurse ju, përgjegjës. Kjo është, së pari, padrejtësi ndaj fëmijëve, pastaj dhe ndaj shoqërisë”, u shpreh znj. Karaj.

Ajo gjithashtu theksoi se familja duhet trajtuar si një institucion i mbështetur në frymën e fesë, me bosht arsyen dhe vetëdijen dhe i duhet dhënë vazhdimësi duke marrë për bazë pëlqimin e Allahut.

Ndërsa znj. Nevila Qardaku, psikologe, nga aspekti psikologjik vlerësoi se metodat edukuese psikologjike janë: shpërblimi dhe ndëshkimi. “Shpërblimin e kemi dy llojesh; jomaterial dhe material. Shpërblimi i jepet fëmijës sa herë që kryen një vepër të mirë. Më e preferuar është shpërblimi jomaterial si: buzëqeshja ndaj fëmijës, përkëdhelja, përqafimi etj. Shpërblimi material kryhet me anë të dhuratave mbasi fëmija i ka bërë detyrat e veta”, u shpreh znj. Qardaku.

Gjithashtu ajo theksoi se për të qenë një prind i mirë duhet t’i bësh një analizë vetes se ku je, në ç’pozicion gjendesh, a je mjaftueshëm i përgatitur për t’iu përgjigjur fëmijës ashtu siç duhet.

Ndërsa znj. Tarelli, foli rreth rëndësisë së periudhës 0-6 vjeç. Çfarë duhet të mësojë fëmija në këto vite, virtyte dhe vetëkontrolli përballë prirjes së përgjithshme për mësimin e dijes. Znj. Tarelli theksoi edhe rolin e pazëvendësueshëm të marrëdhënies me nënën.

Simpoziumi i cili u mbajt në ambientet e Medresesë së Tiranës, u prit me shumë interes nga pjesëmarrësit.

/Drita Islame/

SAMSUNGprindi model-zyra gruas (3)