ZK1A0173

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi aktivitetin kulturor “Haxhi Vehbi Dibra, një jetë në shërbim të Islamit dhe Atdheut”, ku u promovua libri i H. Vehbi Dibrës “Ç’urdhnon Kur’ani”, si dhe u transmetua premiera e dokumentarit kushtuar jetës dhe veprës së këtij dijetari dhe patrioti të madh.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Universitetit Bedër, morën pjesë figura fetare e intelektuale islame, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kulturore e akademike, familjarë të H. Vehbi Dibrës, studentë e të ftuar të tjerë.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, theksoi se Komuniteti Mysliman historikisht ka qenë promotor në promovimin e personaliteteve islame dhe atdhetare.

“Aktivitetet dhe botimet e institucionit dëshmojnë qartë përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur në vendin që meritojnë ata njerëz të cilët sakrifikuan gjithçka për të mirën e fesë dhe atdheut, një prej të cilëve ishte padyshim edhe Haxhi Vehbi Dibra. Për kontributin dhe vlerat që përfaqësonte, H. Vehbiu mbetet një emër i madh në historinë e vendit dhe komunitetit tonë”, u shpreh z. Bruçaj.

Kreu i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, vlerësoi Komunitetin Mysliman (Drejtorinë e Kulturës) për promovimin e figurave fetare e atdhetare, të cilët, falë kontributit e tyre të çmuar, lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën e popullit.

Nga panelistët fillimisht e mori fjalën Dr. Genti Kruja, drejtor i Kulturës në KMSH. Ai theksoi se ky botim, i cili vjen në vazhdën e botimeve të KMSH-së, është një përmbledhje e shkrimeve të shumta që H. Vehbi Dibra la pas si trashëgimi për brezat. “Libri, – tha z. Kruja, – është titulluar “Ç’urdhnon Kur’ani”, ashtu siç i titullonte H. Vehbiu shkrimet e tij. Edhe pse tematikat janë kryesisht fetare, në të trajtohen edhe çështje me të cilat përballeshin myslimanët dhe shoqëria e asaj kohe”.

Ndërsa publicisti dhe shkrimtari z. Besnik Mustafaj u shpreh: “Sot jemi mbledhur për të kujtuar me respekt kontributin e madh të H. Vehbi Dibrës, i cili, së bashku me shumë patriotë të tjerë hodhën themelet e dashurisë për besimin, kulturën dhe dijen në përgjithësi, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngritjen e shtetit shqiptar, Komunitetit Mysliman e më gjerë.”

Aktiviteti u përmbyll me shfaqjen e dokumentarit premierë kushtuar veprimtarisë fetare e kombëtare të H. Vehbi Dibrës, prodhuar nga Drejtoria e Kulturës me regji të gazetarit Ferit Lika.

Për pjesëmarrësit u dhurua një kopje e librit “Ç’urdhnon Kur’ani” dhe më pas u shtrua një koktej.

17 prill 2015

ZK1A0086 ZK1A0108  ZK1A0175 ZK1A0202 ZK1A0203 ZK1A0212 ZK1A0251