Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zhvilloi një ceremoni vlerësimi në nder të Ambasadorit të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, Sh.T.Z. Faisal Ghazi Hifzi.

Gjatë kësaj ceremonie, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i dorëzoi personalisht Ambasadorit Hifzi një medalion dhe një çertifikatë vlerësimi, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen e projekteve për zhvillimin fetar, social dhe kulturor, si dhe promovimin e solidaritetit dhe miqësisë midis dy popujve.”

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, morën pjesë përfaqësues të trupës diplomatike të vendeve Arabe në Shqipëri, Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, z. Klodjan Bulku, Drejtori i Zyrës Rajonale të Ligës së Botës Islame (Rabitas) në Bosnje-Hercegovinë, z. Abdullah Qari, përfaqësues të lartë të Kolegjit Universitar “Bedër”, myftinjë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtues shoqatash të ndryshme, etj.

Ceremonia u hap me leximin e disa ajeteve kuranore nga Drejtori i Arsimit në KMSH, z. Elton Karaj.

Fill pas tij, fjalën e mori Kryetari Spahiu, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u ndal në vlerësimin e figurës dhe kontributit të Ambasadorit Hifzi në Shqipëri.

“Ne kemi pasur nderin të punojmë ngushtë me Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në Republikën e Shqipërisë, të cilin kemi parë të angazhohet me pasion dhe përkushtim të lartë. Ai dhe ekipi i tij në ambasadë kanë ofruar çdo mundësi për ndihmë dhe mbështetje për popullin shqiptar dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në shumë aspekte.” u shpreh Kryetari Spahiu.

Më pas, ai i dorëzoi Ambasadorit çertifikatën dhe medalionin e përgatitur enkas për këtë rast.

Ceremonia vijoi më tej me fjalën e rastit të Ambasadorit Hifzi, i cili falënderoi përzemërsisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për këtë vlerësim dhe përmendi disa nga momentet më të veçanta të shërbimit të tij si Ambasador në vendin tonë, duke cekur vizitat e personaliteteve të larta të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe projektet konkrete që janë zhvilluar ndër vite me KMSH-në.

Marrëdhëniet mes Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite kanë njohur një rritje të ndjeshme falë mbështetjes së pakursyer të Ambasadorit Hifzi, i cili me vizionin dhe përkushtimin e tij ka kontribuar në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona, duke ndihmuar në zhvillimin e projekteve fetare, arsimore dhe humanitare.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë