simpoziumi-1Promovohet libri “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”

Një delegacion i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i përbërë nga kancelari z. Ali Zaimi, drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja dhe drejtori i Financës z. Ylli Cikalleshi, zhvilluan një vizitë zyrtare disa ditore në Zvicër, ku u organizuan disa aktivitete, si seminari në Universitetin e Zyrihut, të ftuar nga shoqata “Studenti”, takime dhe vizita nëpër  xhamitë dhe qendra kulturore islame e shqiptare të Zvicrës, si dhe më dt. 12 maj 2013 u zhvillua simpoziumi “Shembulli profetik tek dijetarët myslimanë shqiptarë” dhe promovimi i librit “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Zambak” në Zvicër.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në Zyrih, moderatori dhe përfaqësuesi i Shoqatës Zambak z. Adnan Mlika fillimisht ka bërë hapjen e programit, duke i uruar të ftuarve mirëseardhjen dhe më pas ka referuar kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi, në lidhje me figurën e ndritur të Profetit Muhamed (a.s.). Ndër të tjera ai tha se, “në mbarë botën zhvillohen aktivitete kushtuar Pejgamberit (a.s.), me qëllim që njerëzimi të jetë pasues i edukatës së tij. Le të bashkohemi të gjithë duke bashkëpunuar në edukimin e brezave tanë me shembullin dhe edukatën e Profetit Muhamed (a.s.)”, ka theksuar ndër të tjera z. Zaimi.

P1000651

Më pas fjalën e mori drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja, i cili foli për figurat dhe personalitet e shquara shqiptare të kulturës islame, të cilën u bënë pasqyrë e denjë e shembullit profetik në trojet tona, duke qenë në ballë të faqeve të ndritura të ngjarjeve historike të vendit dhe popullit tonë. Ai theksoi se, ne duhet t’i njohim më mirë këto personalitete dhe për këtë arsye KMSH ka botuar edhe enciklopedinë “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, i cili u promovua në këtë aktivitet, në prani të imamëve të xhamive shqiptare në Zyrih, të studentëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm të diasporës shqiptare në Zvicër.

 

Pas këtyre kumtesave fjalën e ka marrë edhe drejtori i Financës në KMSH, z. Ylli Cikalleshi, i cili ka prezantuar projektin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, duke i bërë një panoramë ecurisë së punës dhe projektit të kompleksit të saj. Ai ka bërë thirrje gjithashtu që krahas ndihmës dhe përkrahjes që kanë dhënë shtete dhe organizma të ndryshme nga bota për financimin e këtij kompleksi, KMSH dëshiron që ky projekt t’i përfshijë të gjithë ata dashamirës, të cilët duan të jenë pjesë e këtij kompleksi multifunksional, duke përfshirë edhe shqiptarët dhe myslimanët e Zvicrës.

Pas fjalës së tre referuesve, të pranishmit diskutuan dhe bënë pyetje rreth temave të diskutuara në këtë veprimtari.