Marshimi i solidaritetit - Paris (1)

Shqipëria dha një shembull të harmonisë fetare në marshimin e madh të solidaritetit botëror kundër terrorizmit dhe intolerancës fetare të mbajtur në Paris më 11 janar 2015.

Pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Rama ishte edhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.  Delegacioni shqiptar bëri homazhe pranë selisë së të përjavshmes “Charlie Hebdo”, e cila u bë objektiv i një sulmi terrorist pak ditë më parë.

Mijëra franceze dhe qytetarë të tjerë nga mbarë bota duartrokitën dhe brohoritën parakalimin e përbashkët të përfaqësuesve të katër komuniteteve fetare në Shqipëri. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare shqiptare përmes përfaqësuesve të saj në Paris, u përçua deri në Elize, ku u bë pritja e krerëve të shteteve nga Presidenti francez, Fransua Hollond.
Më herët, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dënuar përmes një deklarate zyrtare sulmin terrorist në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për viktimat e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj gazetarëve, oficerëve të policisë dhe të lënduarve të tjerë në këtë ngjarje. Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale. Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore”, thuhet në deklaratën e KMSH-së.