Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, bashkë me nënkryetarin e KMSH-së, z. Taulant Bica dhe myftiun e Korçës, z. Ledian Cikalleshi vizituan banorët e fshatit Floq në Korçë të cilët u prekën nga tërmeti i Qershorit.

Gjatë kësaj vizite ata u pritën dhe u shoqëruan në ambientet e shkollës ku banojnë banorët nga kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo.

Kjo vizitë konsiston në finalizimin e fushatës sensibilizuese që KMSH ndërmori në mbarë xhamitë e vendit për tu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone. Shuma monetare e mbledhur nga besimtarët do të përdoret për ushqime të gatshme dhe nevoja të ndryshme për një periudhë të caktuar kohore.

Finalizimi i kësaj fushate do të realizohet nga Myftinia e Korçës e cila edhe më parë është gjendur pranë banorëve të këtij fshati me ndihma të ndryshme.

Kryetari i KMSH-së bashkë me kryetarin e Bashkisë së Korçës vizituan shkollën ku janë vendosur banorët duke biseduar mbi situatën e tyre.

Kreu i KMSH-së gjatë vizitës së tij theksoi se solidariteti dhe ndihma ndaj njerëzve në nevojë është mjaft e rëndësishme në fatkeqësi të tilla.

“Sot jemi pranë banorëve të kësaj zone për të shprehur solidaritetin tonë për të prekurit nga tërmeti. Fondi i akorduar nga KMSH, i cili është mbledhur nga besimtarë nga i gjithë vendi ka për qëllim lehtësimin e barrës së këtyre banorëve. Vlerat njerëzore janë ato që na bashkojnë në të tilla fatkeqësi”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Ndërsa kryetari i bashkisë, z. Filo falënderoi KMSH-në për ndihmën e ofruar si dhe myftininë e Korçës e cila është gjendur afër banorëve gjatë kësaj periudhe.