Një delegacion nga KMSH, i përbërë nga kryetari i KMSH-së, H. Skender Bruçaj, nënkryetari, z. Bujar Spahiu, zv/myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja dhë këshilltari i kryetarit për marrëdhëniet me botën arabe dhe njëkohësisht pedagog i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Xhemal Saferti mori pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Komuniteteve Myslimane.

Më shumë se 550 udhëheqës fetarë, studiues dhe politikanë nga 140 shtete morën pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Komuniteteve Myslimane të organizuar në Abu Dhabi në datat 8-9 maj.

Gjatë këtij kongresi kryetari i KMSH-së zhvilloi disa takime me ministrat e Vakfit dhe Çështjeve Islame të Emirateve dhe të Jordanisë si dhe me ministrin e Shtetit për Tolerancën në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në Kongresin Ndërkombëtar të Komuniteteve Myslimane ishte i ftuar edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Rexhep Meidani, i cili mbajti edhe një fjalim.

Udhëheqësit e komuniteteve myslimanë thanë se muslimanët duhet të respektojnë ligjet e vendeve përkatës duke ruajtur vlerat e tyre dhe duke inkurajuar multikulturalizmin.

Konferenca u pajtua të intensifikojë përpjekjet e bëra nga organizatat ndërkombëtare për të nxitur dhe forcuar dialogun, tolerancën dhe mirëkuptimin mes grupeve fetare dhe për të parandaluar abuzimin, veçanërisht përmes mediave sociale.