kapak - Copy

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, pas dixhitalizimit të plotë të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939), sajë një pune të gjatë kërkimore, ka nxjerrë botimin e vëllimit të parë të kolanës “Zani i Naltë” (1923-24-25).

Dixhitalizimi i 153 numrave origjinalë të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939) përbëhet nga një volum prej rreth 5.000 faqesh të një periudhe 16 vjeçare të botimit të revistës “Zani i Naltë” nga tetori 1923 deri në maj 1939.

Revista “Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar.

Gjatë 16 viteve të jetës së saj, ajo botoi një sërë artikujsh, që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet dhe niveli i mendimit teologjik shqiptar, gjatë periudhës së postpavarësisë. E gjithë përmbajtja e revistës është një pasuri e çmueshme kulturore, është një traditë e bukur fetaro-atdhetare, është një ndihmesë e vyer në publicistikën shqiptare.

Kolana “Zani i Naltë” përbëhet prej 10 vëllimesh. Në vëllimin e I-rë, përfshihen vitet 1923, 1934 dhe 1925, numrat e të cilëve iu është ruajtur origjinaliteti, duke u botuar siç kanë qenë, qoftë nga gjuha, qoftë nga karakteri dhe fonti i shkrimit, e deri te numri i faqeve.

Libri aktualisht ndodhet në librarinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, “Miqtë e Librit”.