Albumi fotografik “Medreseja e Tiranës një shekull në shërbim të dijes”, vjen si një botim special i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Fondacionit Kulturor dhe Arsimor “Sema”, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës.

Publikimi i këtyre fotove bëhet për herë të parë dhe janë siguruar nga Arkivi Qendror i Shtetit, Fototeka Marubi dhe Arkivi i Komunitetit Mysliman.

Pjesë e albumit janë gjithashtu edhe foto të aktiviteteve të ndryshme të Medresesë, pas viteve 90, të siguruara nga Arkivi i Komunitetit Mysliman dhe Fondacionit Sema.

Ky botim është me mjaft vlera, jo vetëm nga aspekti historik, por edhe për mesazhet e rëndësishme që na kanë përcjellë paraardhësit tanë të urtë dhe të ditur, nëpërmjet shumë fotografive historike dhe dokumenteve të rëndësishme, që zënë vend në këtë album.

Të gjitha këto janë shpalosur sipas një kronologjie, duke filluar nga themelimi i Medresesë së Naltë më 1924, që vjen menjëherë pas institucionalizimit të çështjeve të Islamit në Shqipëri nëpërmjet Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar më 1923, e duke vazhduar më tej me konsolidimin e saj si Medrese e Përgjithshme, si e vetmja Medrese ku u bashkuan të gjitha në një të vetme.

Më pas kemi tkurrjen e saj në vitet e komunizmit, ku fotografia e fundit daton ajo e vitit 1960 dhe zyrtarisht medreseja e vetme në Shqipëri mbyllet më 1964, për t’u rihapur pas gati një çerek shekulli më 1991.

Më pas brezat e fundit të medresistëve të viteve 1950-60, do të ishin nismëtarët e parë të rihapjes së medresesë pas një pauze të gjatë, të cilët u bënë edhe mësuesit dhe drejtuesit e parë të medresesë.

Imazhi i Medresesë tashmë prej vitesh, është fytyra e ndritur e dijes dhe e shkencës, e Islamit dhe e paqes, e dashurisë dhe e përkushtimit për edukimin e brezave të rinj, plot me dituri, të aftë dhe të përgatitur, që t’i shërbejnë shoqërisë dhe Islamit, progresit dhe zhvillimit të atdheut, si një model real, fryt i edukimit dhe arsimimit bashkëkohor me ndjenja të larta besimi.

albumi (1) albumi (2) ZK1A0607