Drejtoria e Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, promovuan librin “Argumentet bazë të Fikhut Hanefi”, botim i KMSH-së.

Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame. Më pas fjalën e mori Drejtori i Kulturës dhe Arsimit në KMSH, z. Dorian Demetja, i cili foli për domosdoshmërinë e këtij botimi, duke bërë një përshkrim të përgjithshëm rreth zhvillimit të fesë në Shqipëri pas viteve 90’, ku dhe ceku problematikat që u importuan në vendin tonë në drejtim të praktikave fetare.

Në këtë aktivitet i ftuar special ishte z. Redin Quku, myfti i Durrësit. Z. Quku, analizoi veprën në mënyrë të detajuar, duke cekur edhe çështjet të cilat sot konsiderohen si problematike dhe jo lehtë të kuptueshme për masën e gjerë. Ai sqaroi disa aspekte të taklidit, që janë keqkuptuar dhe shtrembëruar rëndë, duke hedhur dritë mbi domosdoshmërinë, historinë dhe rolin e tij në botën e sotme. Më pas z. Quku u përqendrua në disa kapituj, që shqyrtojnë disa çështje të namazit sipas shkollës juridike hanefi. Ai gjithashtu shpalosi punën e vyer që autori ka bërë me përpilimin e kësaj vepre, ku nuk la pa falënderuar edhe përkthyesin e kësaj vepre z. Fatmond Marku, i cili ishte prezent gjatë promovimit.