Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e pronës për ndërtimin e Xhamisë së madhe të kryeqytetit, e cila do të vendoset në zonën e Namazgjasë.

Më konkretisht vendimi është “Për kalimin e një sipërfaqeje truall, pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe kompensimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe për një ndryshim në vendimin nr 834, datë 13.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Listës së Pjesshme (pjesa e parë+pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”.

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave,  i cili i kalon  Komunitetit Mysliman 2570 m2 dhe marrëveshjes me pronarët e truallit pranë Namazgjasë, ku KMSH përfiton një sipërfaqe shtesë trualli prej 730 m2,  sipërfaqja në dispozicion për ndërtimin e xhamisë së madhe do të jetë mbi 6000 m2.

Kryeministri Berisha duke e cilësuar Xhaminë një kryevepër arkitekturore,  theksoi se është njohur nga afër me projektin e saj, nga vetë arkitekti  i Xhamisë.  Më tej kryeministri u shpreh se ajo do të vijë për besimtarët  me të gjithë strukturën e përshtatshme, si një ndërtim madhështor, i cili do të zbukurojë edhe më shumë kryeqytetin.

Kryeministri garantoi gjithashtu besimtarët dhe Komunitetin Mysliman se pas marrjes së këtij vendimi do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të përgatitet dokumentacioni përkatës në mënyrë që ajo të fillojë ndërtimin në kohën më të shpejtë të mundshme.

03/04/2013

DI

namazgjah

Namzgjaja-Tirane