Me-syrin-e-zemres-1-3

Ka nisur transmetimin live mbrëmë emisioni televiziv “ME SYRIN E ZEMRËS”. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të transmetojë për të tretin vit radhazi  emisionin “Me syrin e zemrës”, një emision fetaro-kulturor i cili do të shoqërojë shqiptarët gjatë iftareve të muajit Ramazan, në RTV ORA NEWS.

Në këtë cikёl prej 10 emisionesh do tё trajtohen tema të ndryshme me karakter fetar dhe social, me qëllim promovimin e të vërtetave të Islamit, si një fe që trajton dhe përfshin jetën e njeriut në të gjitha aspektet.

Mbrëmë  është transmetuar edhe puntata e parë e këtij emisioni me të ftuar dy nënkryetaret e Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga. Në emision u fol mbi kuptimin, domethënien dhe vlerat e muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Disa nga mesazhet e përcjella në këtë emision ishin:

Ramazani, muaji i agjërimit, muaji i namazit të natës, muaji i leximit dhe i këndimit të Kuranit, muaji i sadakasë dhe i mirëbërësisë, muaji i mëshirës, përfshin të gjitha rrethinat që janë përreth në shpirtin e të drejtës, të virtytit dhe të dhembshurisë.

Agjërimi është një shkollë që sjell një efekt pozitiv të dukshëm në qëndrimin e shoqërisë. Gjatë periudhës njëmujore të kësaj disipline shembullore ndjenjat e të pasurit zgjohen për të kontribuuar në përmirësimin e gjendjes së gjithanshme të anëtarëve të shoqërisë, që ndonëse nuk janë të një niveli force, pozite e kamje, secili prej tyre luan rolin e një “vide” sado e vogël në një makineri gjigante.

Me fillimin e Ramazanit, rinovohen edhe një herë mendimet, ndizen shpresat, frymëzohen ndjenjat, pastrohen ndërgjegjet; besimtarët me dëlirësinë që i karakterizon kërkojnë të shijojnë të gjitha minutat plot begati të kësaj sofre hyjnore, minutat nxisin adhurimin dhe veprat e mira si asnjëherë tjetër, veprat synojnë sinqeritetin dhe mëshirën, ndërsa mëshira në frekuenca të shumëllojshme përqafon botën mbarë…

Ky adhurim që e ngre njeriun në nivelin e engjëjve, duke e bërë të ndjejë nevojën e ushqimeve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe Pronarin e vërtetë të tyre; duke i vënë fre egos e maturon atë; duke e bërë bashkëvuajtës me shtresat në nevojë, i mëson atij durimin dhe e bën të përgatitur të përballojë vështirësitë e mundshme të jetës.

Në këtë muaj shpirti i njeriut është i prirë drejt kthimit në esencën e tij dhe pastrimit të plotë. Në këtë muaj portat e qiellit janë hapur duke pritur lutjen e agjëruesit, nga ku drejtohet thirrja e Allahut: “A ka dikush që Më lutet – T’ia pranoj lutjen? Ka dikush që kërkon diç – që T’ia jap? Ka dikush që kërkon për faljen e mëkateve – T’ia fal?”; krahët e mëshirës janë shtrirë anekënd dhe nuk ka lutje a pendim të mos pranohet, kjo falë Krijuesit dhe madhështisë që Ai i dha këtij muaji.

Emisioni “Me syrin e zemrës”me regji të regjisorit Agron Hoxha dhe moderator Armand Bora, do të transmetohet LIVE (drejtpërsëdrejti) çdo të hënë dhe të enjte duke filluar nga ora 19.00 deri në 19.50 dhe do të ritransmetohet në orën 04.00.

Programi do të transmetohet në TV Ora News, si dhe në faqen e internetit www.ora-news.com e cila transmetohet live në web dhe mund të ndiqet nga e gjithë bota. Gjithashtu ky program mund të ndiqet në Radio Ora News në frekuencat 96.7 FM, si dhe në paketën dixhitale tokësore dhe satelitore “Digitalb” drejtpërsëdrejti.