Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra, Kryetari i Bashkisë së Vorës, z. Fiqiri Ismaili, donatorët, kontribuuesit si dhe besimtarët e shumtë të zonës, inauguruan sot xhaminë e re në fshatin Domje të kryeqytetit.

Ceremonia u hap me këndim Kurani nga besimtari i zonës Jusuf Idrizi, për të vazhduar më tej me fjalën përshëndetëse të Nënkryetarit Spahiu, i cili pasi falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur ndërtimin e kësaj xhamie në këtë zonë të kryeqytetit, u ndal në rëndësinë dhe shpërblimin e Zotit ndaj atyre që kontribuojnë në vepra të tilla.

“Të ndërtosh një vend ibadeti ku në të do të përmendet emri i Allahut xh.xh, është një e mirë e cila do ta ndjekë atë njeri deri në ditën e fundit. Ndërtimi i xhamive është një bamirësi e madhe ndaj shoqërisë tonë të përbashkët, pasi ky vend do të jetë djep i formësimit të besimit dhe adhurimit ndaj Zotit të botërave, e ai që e beson e adhuron Atë s’ka se si të mos jetë i mirë ndaj vetes, ndaj familjes e ndaj shoqërisë së tij.”

Më tej, Myftiu i Tiranës, z. Gurra, bëri një rezyme të shkurtër mbi zhvillimin e besimit në vendin tonë që pas viteve ’90, duke u shprehur entuziast për avancimin dhe emancipimin e besimtarëve e të shoqërisë në këtë aspekt.

Përshëndetje të rastit mbajtën edhe Kryetari i Bashkisë së Vorës z. Ismaili, Përfaqësuesi i donatorëve z. Gëzim Abdishahi, dhe Myftiu i Skraparit, z. Jusuf Salkurti.

Në fund të ceremonisë, të pranishmit falën namazin e drekës nën drejtimin e Nënkryetarit të KMSH-së.