Pas inaugurimit të shtëpive të banimit, Krerët e Komuniteteve Shqiptare Islame të Diasporës, të shoqëruar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të institucionit, inauguruan gjithashtu edhe objektin e xhamisë së “Thumanës”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përpos të lartëpërmendurve, ishin të pranishëm gjithashtu edhe dhjetëra banorë të zonës, Nënkryetari i Bashkisë së Krujës, z. Ilir Loci, Myftiu i Krujës, z. Ermir Gjana, Myftiu i Durrësit, z. Redin Quku, etj.

Kjo ceremoni filloi me leximin e disa ajeteve Kuranore nga imami i kësaj xhamie Ermir Kurti, për të vazhduar më tej me një video të shkurtër të projektit të rindërtimit.

Më pas fjalën e mori Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH z. Edison Hoti, i cili ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe bëri një prezantim të shkurtër të projektit “Diaspora”.

Për të vijuar më tej me Kryetarin e KMSH-së, z. Spahiu, i cili falenderoi për bashkëpunimin e frytshëm në projektin e rindërtimit krerët dhe kontribuesit e komuniteteve shqiptare islame të diasporës.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dhënë më të mirën që çdo kontribut i juaji të shkojë atje për ku ishte nijeti i atyre që e dhanë. Shpresoj t’ia kemi dalë në këtë drejtim dhe falenderojmë Allahun (xh.sh) që nxori të gjithëve së bashku faqe bardhë.” – tha ai.

Pas tij, fjalën e morën Krerët e Komuniteteve Shqiptare Islame të Diasporës, si: z. Mehas Alija, Kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër z. Vahedin Beluli, Kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare në Austri, z. Reshat Ibishi, Kryetar i Bashkësisë Islame Shqiptare në Itali dhe z. Jasmin Demić, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Boshnjakëve në Zvicër.

Në fjalët e tyre, ata shprehën fillimisht mirënjohjen ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili çoi në vend amanetin e të gjithë kontribuesve që jetojnë e punojnë në diasporë, e më pas u ndalën në frymën e bashkëpunimit mbarëshqiptar që na karakterizoi në rastin e tërmetit 2019.

Këtë ceremoni e përshëndeti gjithashtu edhe Nënkryetari i Bashkisë së Krujës, z. Ilir Loci, i cili shprehu mirënjohjen e institucionit që ai përfaqëson në kontributin e të gjitha palëve për të kapërcyër pasojat që shkaktoi tërmeti i nëntorit të 2019-tës.

Simbolikisht u shpërndanë edhe çelësat e shtëpive të rindërtuara, të cilët ju dorëzuan kryefamiljarëve të pranishëm nga të lartëpërmendurit.

Më tej, Krerët e Komuniteteve Shqiptare Islame të Diasporës, së bashku me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, prenë shiritin e inaugurimit të xhamisë së Thumanës, tashmë nën emrin “Xhamia e Unitetit”, për të simbolizuar frymën vëllazërore të shqiptarve të kudondhur që u bënë bashkë në kapërcimin e pasojave të tërmetit të 2019.