Sot para namazit të xhumasë është inauguruar Xhamia e Re në Paskuqan të Tiranës.

Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, me lexim Kur’ani me përshëndetjen e të ftuarve, prezencën e qindra besimtarëve dhe mesazheve të vyera u hapën dyert e xhamisë më të re në Paskuqan.

Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit falënderoi kontribuesit për ndërtimin e kësaj xhamie dhe në veçanti z.Tefik Hoxha, i cili dhuroi truallin për ndërtimin e xhamisë.

“Xhamia është një derë drejt adhurimit të Zotit, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Në këtë vend mësojmë se si të bëhemi njerëz të devotshëm, me moral të lartë dhe të denjë për shoqërinë. Xhamia është vendi ku kryen adhurimet dhe lartësohet emri i Krijuesit të Gjithësisë”, tha z. Bruçaj.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, z. Xhelal Mziu i pranishëm në inaugurimin e kësaj xhamie tha se kjo xhami është një vlerë e shtuar për qytetarët e Paskuqanit dhe Kamzës.

Gjithashtu në këtë aktivitet mori pjesë edhe myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili u shpreh mjaft mirënjohës për kontribuuesit dhe theksoi se xhamitë janë vatra ku formohen qytetarë dhe individë me vlerë për shoqërinë.

Më pas të pranishmit dëgjuan hutben e mbajtur nga imami i xhamisë, z. Jusuf Salkurti dhe falën namazin e parë të xhumasë.