Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me Ambasadorin e Katarit, z. Ali Bin Hamad Al- Marri, Donatorin, z. Abdul Razak Abdul Xhelil Al Abdul Gani, Myftiun e Tiranës, z. Lauren Luli, Drejtorin e “Qatar Charity Albania”, z. Mahmud Abas Shakir, Drejtorin e Fondacionit “Mirënjohja”, z. Samet Shehu, si dhe me dhjetëra besimtarë të pranishëm të zonës, hapën dyert e xhamisë së re të Brrakës duke prerë në mënyrë simbolike shiritin e inaugurimit.

Ceremonia u hap me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, për të vijuar më tej me fjalën përshëndetëse të Kryetarit Spahiu, i cili falenderoi donatorin për këtë kontribut kaq domethënës në shërbim të Islamit dhe u bëri thirrje besimtarëve ta frekuentojnë e ta pasurojnë atë çdo ditë me adhurime ndaj Krijuesit të Gjithësisë.

Ndërsa donatori, i cili bëri të mundur rindërtimin e kësaj xhamie, u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin mes palëve, bashkëpunim ky i cili i hapi rrugë rindërtimit të xhamisë së Brrakës nga e para. Ai shprehu kënaqësinë e tij në mundësinë për të kontribuuar me një vepër kaq të dobishme për besimtarët myslimanë dhe për qytetin e Tiranës.

Më tej, Kryetari Spahiu, mbajti hutben e xhumasë, ku trajtoi për besimtarët e pranishëm rëndësinë që ka shpenzimi i pasurisë apo kontributi në rrugën e përhapjes së Islamit.

“Shpenzimi për hir të Allahut është prej veçorive me të cilat shquhen robërit e Tij të sinqertë, të cilët duhet të jenë model dhe shembull jete për ne. Ata edhe pse e duan pasurinë, të cilën e kanë fituar me mund dhe djersë, për Allahun e japin pa hezitim, pa përtesë dhe me dashuri. Allahu qoftë i kënaqur me ta!” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Në përfundim, besimtarët e pranishëm falën bashkërisht namazin e xhumasë.

Xhamia “Brrakë” u ndërtua nga “Qatar Charity Albania”, Allahu e shpërbleftë donatorin në të dy botët!