Një tjetër vakëf i ri i shtohet fondit të pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ky vakëf është një hotel në bregdetin e Vlorës, ‘Hotel Blue Orchidea’, i cili u inaugurua ditën e djeshme në prani të kreut të KMSH-së, H. Bujar Spahiu dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë.
Përmirësimi i pagave, menaxhimi dhe investimi në pronat vakëf ka qenë një prej prioriteteve të kryetarit Spahiu, krahas përkushtimit në aktivitetin fetar të institucionit.
Tjetërsimi dhe përvetësimi i pronave të Komunitetit Mysliman si dhe gjithë institucioneve të tjera fetare, është një plagë e trashëguar nga regjimi komunist, por që vazhdoi edhe gjatë këtyre viteve të demokracisë. Gjë e cila ka sjellë shumë vështirësi për komunitetet fetare.
Por, falë përpjekjeve të drejtuesve të KMSH-së dhe mbështetjes së pa kursyer nga besimtarë dhe donatorë të ndryshëm vitet e fundit, me ndihmën e Zotit, gjërat po zhvillohen pozitivisht.
Kryetari Spahiu u lut që ky investim t’i shërbejë rikthimit të traditës së hershme të vakëfeve në vendin tonë, funksioni parësor i të cilave është kontributi për të rritur cilësinë e shërbimit fetar në vend.
I gjithë procesi për vënien në efiçensë të këtij vakëfi është ndjekur nga Drejtoria e Pronave.
Hotel Blue Orchidea është një hotel me standarde hallall dhe shërbim bashkëkohor.