Sukth, Durrës

sukth xhamia e re  (1)

Më 31 maj 2013, në prani të drejtuesve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari H. Selim Muça, myftiut të Gostivarit Shaqir Fetahu si dhe besimtarëve e banorëve të shumtë u inaugurua  xhamia e re e fshatit Sukth të Durrësit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, në fjalën e tij uroi përzemërsisht të pranishmit për këtë investim të rëndësishëm, duke vlerësuar rolin e xhamisë shqiptare në periudha kyçe të historisë së Islamit dhe kombit shqiptar. Ndërsa për ata që ndërtojnë xhami, kryetari Muça rikujtoi hadithin e Pejgamberit a.s.: “Ai që ndërton një xhami, Allahu do t’i sigurojë një shtëpi në xhenet”.

Banorët i përshëndeti edhe donatori i xhamisë i ardhur posaçërisht nga Kuvajti, biznesmeni Es’ad Abdul Aziz Es-Sened, i cili falënderoi Komunitetin Mysliman, drejtuesit e pushtetit lokal dhe çdo person kontribuues në realizimin e saj.

Hytben e parë të xhumasë e mbajti nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu, i cili e vuri theksin në rolin dhe rëndësinë që ka institucioni i xhamisë në shoqërinë islame. “Falënderojmë Allahun – tha z. Spahiu – që na ka mbledhur në këtë ditë bajrami të përjavshëm, të përurojmë këtë xhami të re. Allahu i nderoftë dhe i shpërbleftë donatorët dhe ndërtuesit e kësaj xhamie dhe të gjithë ata që kontribuojnë për ndërtimin e institucioneve islame.”

Xhamia e ndërtuar në qendër të Sukthit ka si pjesë të saj klasa të posaçme për zhvillimin e kurseve të Kur’anit dhe mësim-besimit si dhe ambiente të tjera shërbimi.

Yrshek, Tiranë

yrshek xhamia e re   (1)

Ndërkohë në të njëjtën ditë u inaugurua edhe xhamia e fshatit Yrshek të komunës Kashar në Tiranë, të cilës i është bërë një rikonstruksion total asaj ekzistueses e ndërtuar që në vitet ’94, ‘95.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, ambasadori i Kuvajtit në Tiranë Najeeb Abdurrahman Al-Bader, donatorët kuvajtianë, Kryetari i Komunës Yrshek, Besnik Fuçia, si dhe dhjetëra besimtarë të cilët kishin kohë që e prisnin këtë ditë.

Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i Tiranës Ylli Gurra, theksoi rëndësinë që ka ndërtimi i një xhamie, vend adhurimi për besimtarët myslimanë të cilët po shtohen dita ditës. Ai gjithashtu falënderoi donatorët për këtë dhuratë që i kanë bërë banorëve të kësaj zone.

Inaugurimi i saj përkoi me ditën e xhuma dhe hytbeja e parë u mbajt nga myftiu i Tiranës, i cili u shpreh se xhamitë janë struktura qiellore, vatra dije e adhurimi, ku përgatiten individët nga ana shpirtërore por edhe për jetën e kësaj bote, duke përgatitur një individ për të qenë të dobishëm për veten dhe për shoqërinë.

Pjesë e xhamisë së ndërtuar në qendër të fshatit Yrshek ka edhe ambiente ku do të zhvillohen kurse mësim-besimi.

Kështu, në një ditë të rëndësishme për besimtarët siç është xhumaja, rretheve të Tiranës dhe Durrësit i janë shtuar edhe dy xhami të reja, që plotësojnë nevojat shpirtërore dhe jetësore të besimtarëve dhe qytetarëve të zonave ku ato janë ndërtuar.