Haxhinjtë shqiptarë ndodhen në Arafat, nga ku kanë ndjekur edhe hutben e kësaj dite të madhe të mbajtur nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Ali Zaimi.

Kjo është dita kur lutja pranohet më shumë se kurrë.

HUTBEJA E ARAFATIT

Të nderuar vëllezër dhe motra. Në këtë vend këtu të quajtur Arafat, në këtë ditë, si sot rreth 14 shekuj më parë, Profeti Muhamed a.s shpaloste bukuritë e fesë Islame. Besimit të pranuar tek Allahu.

Ai I tregoi njerëzimit se detyra kryesore e njeriut në këtë botë është të njohë Zotin, Krijuesin e Gjithësisë, ta besojë atë, ta adhurojë vetëm atë, dhe të jetojë me dashurinë e takimit me Të.

Koncepti I përgjithshëm besimor mbi  Zotin, I një besimtari mysliman është se: Zoti, Krijuesi i Lartë e I Përjetshëm zotëron vetitë më të përsosura: Ai ka Madhështi pa kufi zotëron Plotfuqi pafund,  ka Mençuri dhe Dije absolute. Prandaj vetëm Allahu e zotëron pushtetin më të lartë, zotëron dije të përsosura dhe gjithëpërfshirëse, Ai bën atë që do. Dhe asgjë nuk ndodh në qiell dhe në tokë pa dijeninë e Tij dhe pa lejen e Tij. Ai e ka në dorë si jetën ashtu dhe vdekjen, Ai i paracakton fatet e krijesave të Tij, është Ai që ua zbret atyre, gjithsecilit prej tyre, fatin. Ai i lartëson disa popuj dhe i nënshtron disa të tjerë i prirë prej Mençurisë së Tij. Vendimet që Ai merr dhe veprat që Ai kryen janë plot e përplot me drejtësi dhe me zemërgjerësi si dhe mbartin qindra – mijëra urtësi.

Allahu është i Vetëm! Nuk ka Zot tjetër përveç Tij, I Gjalli, I Përjetshmi. Ai për askënd nuk ka nevojë, nuk ka nevojë për ndihmës e shok që të krijojë botë të reja dhe ta drejtojë Gjithësinë. Ai nuk ka nevojë për bashkëshorte apo djalë, sepse është i Përjetshëm, Ai nuk ka as fillim e as fund. Ai nuk ka nevojë për vazhdim fisi, sepse kurrë nuk zhduket. Ai nuk ka nevojë për bëma, që do t’ia zbukuronin vetminë apo do t’ia vinin në vend Plotfuqinë. Edhe në u mbledhshin njerëzit e i parashtrofshin gjithçka që do t’u vinte në mendje, dhe Ai do t’ua përmbushte gjithsecilit kërkesën, nga kjo Gjithëfuqia e Tij nuk do të pakësohej as dhe një pikë.  E njeriu që e beson këtë kështu quhet besimtar. Besimtari është I dashuri I Allahut, është mik I tij. Ndërkohë gjithë bota e njerëzimi ka nevojë për frymën e besimtarit. Prandaj më lejoni që në këtë ditë të bekuar e këtë vend të begatisë së madhe të kujtojmë së bashku disa cilësi të domosdoshme që duhet të përmbushë një mysliman, me qëllim që ta përfaqësojë në mënyrë dinjitoze këtë fe të mrekullueshme, Islamin.

Besimtari I vërtetë është përfaqësuesi i cilësive më të përsosua njerëzore. Ai është hero i zemrës, i shpirtit, i ndërgjegjes dhe i arsyes. Besimtari i vërtetë nuk fut asgjë tjetër veç dashurisë së Allahut në zemër, që në botëkuptimin e tij ajo është fron veçse për Zotin, por nga ana tjetër, për hatër të Zotit, ai i hap zemrën gjithë qenies. Zemra e tij digjet për dashurinë ndaj njerëzve, për hatër të Zotit.

Ai zotëron një gjykim të shëndoshë me aftësi të vështrojë e të kuptojë me ndjeshmëri, përgjegjësi dhe me vizion të sigurt dhe gjithëpërfshirës çdo ngjarje, çdo veprimtari dhe çdo projekt që synon kënaqësinë e Dhuruesit Absolut dhe lumturinë e krijesave. Besimtari i vërtetë e kalon jetën të ndriçuar nga drita e Kuranit dhe e sunnetit, dhe synon devocionin dhe virtytshmërinë. Ai nuk lejon që bota e tij e brendshme të njolloset nga ndjenja e egoizmit, famës, mburrjes, pushtetit, ndjenja këto që e vrasin zemrën. Besimtari i vërtetë ka qëndrim të vendosur ndaj të keqes, dhunës, poshtërimit, diskriminimit dhe ndaj çdo lloj mizorie.

Me vetëdije të plotë dhe me dëshirë të papërshkrueshme besimtari është i përfshirë në kuriozitetin për të depërtuar në kuptimin esencial të gjërave; me dritën e besimit ai zotëron dhe njëkohësisht thellon aftësinë për të analizuar dhe interpretuar drejt fenomene të ndryshme të jetës; me mbështetjen që ka tek Zoti, ai natyrshëm, imponon besueshmëri tek njerëzit dhe rrezaton sigurinë e një njeriu ku mund të mbështetesh për gjithçka dhe prej të cilit çdokush mund të kërkojë ndihmë.

Besimtari i vërtetë është përfaqësuesi më i besueshëm i paqes universale. Duke qenë interpret i vlerave më sublime ardhur njerëzimit, besimtari nuk tenton kurrë të shkaktojë vuajtje apo mjerim për të tjerët. Për hir të asaj që përfaqëson ai është i detyruar të jetë simbol i sigurisë, garancisë dhe përkrahjes. Nuk mund të perceptohet që në veprimtarinë e tij të ketë gjurmë të dhunimit fizik apo shpirtëror të dikujt tjetër, ç’e do që kjo është në masën e të përfaqësuarit të tij siç duhet të cilësive të besimtarit.

Besimtari është i ndjeshëm ndaj nderit dhe dinjitetit të njerëzve të tjerë sikurse është i ndjeshëm ndaj nderit dhe dinjitetit të vet. Ai nuk jeton për veten, por që të bëjë të tjerët të jetojnë, është gati të bëjë çdo sakrificë materiale dhe shpirtërore, që njerëzit të gjejnë Zotin e kështu të sigurojnë lumturinë e përjetshme. Njeriu i besimit është i gatshëm, me gjithë zemër, të bashkëpunojë me çdokënd, që është në udhë të drejtë, madje bashkëpunimin ai e konsideron si lutje për të përfituar mëshirën dhe përkrahjen hyjnore.

Besimtari është i vetëdijshëm që besimi është forca më e madhe që ekziston nën qiellin e kësaj bote. Besimtari e shikon besimin si dritë dhe si forcë. Ai ndjen se përftimi i besimit të vërtetë i mundëson atij të sfidojë gjithë botën, madje në varësi të fuqisë së besimit që zotëron, gjithë universin.

Besimtari është përherë në “luftë” me veten për të larguar nga bota e tij e brendshme urrejtjen, smirën, xhelozinë, hakmarrjen dhe çdo ngacmim djallëzor, për t’i lënë vendin ndjenjave më të pastra të besimit, dashurisë dhe çiltërsisë. Ai do dashurinë dhe është armik i betuar i armiqësisë dhe urrejtjes. Duke u marrë me rregullimin e gabimeve të veta, njeriu i besimit mbyll sytë ndaj gabimeve të të tjerëve, aq sa ndërsa bëhet prokuror i gabimeve të veta, ai kthehet në një avokat për të tjerët.

Besimtari prehet në paqe e qetësi edhe kur është i rrethuar nga motive dhimbjeje e pikëllimi. Për shkak të lidhjes së fortë që ka me Zotin, ai është në gjendje të dëbojë çdo re hidhërimi. Në momentet më pikëlluese, një shpirt i tillë është në gjendje që me gjuhën e zemrës së vet të recitojë poemat e lumturisë.

Besimtari është i qartë që kjo botë nuk është vendi i kënaqësive dhe shpërblimit, por është sheshi i shërbimit dhe provimit. Prandaj ai nuk llastohet për arritjet sikundër nuk bëhet pesimist për humbjet dhe fatkeqësitë. Besimtari i vërtetë zotëron një zemër të ndjeshme si e pëllumbit, e cila rreh me ritme të koordinuara mes frikës dhe shpresës. Ai është i dashuruar me Zotin dhe ndërsa dridhet nga frika se mos humbasë këtë dashuri, jeton gjithmonë me shpresën e mëshirës së pakufishme të Tij.

Çdo gjë në këtë botë ka domethënien e vet për besimtarin dhe mbi të gjitha është argument për ekzistencën, emrat dhe atributet e Krijuesit. Universi me çdo grimcë që e përbën atë, Kurani me çdo verset të tij, Profetët dhe veçanërisht Profeti Muhamed (a.s.) me mesazhin dhe mënyrën e jetës që jetoi dhe së fundmi ndërgjegjja njerëzore me të gjithë thellësitë e saj janë përmbledhës të argumenteve që të tregojnë e të çojnë tek Allahu, që të bëjnë besimtar.

Prandaj pozita më e lartë në këtë botë për një mysliman të vërtetë është të jetojë si besimtar i thjeshtë dhe që Allahu të jetë i kënaqur prej tij.

Të nderuar vëllezër dhe motra. Allahu na ka dhënë ne një armë shumë të fuqishme kundrejt gjithë vështirësive. Ajo është duaja. Dhe pikërisht sot, e pikërisht këtu, më tepër se kurrë është koha për dua, është koha për lutje.

Kul me jeabeu lekum…..

Është koha për duá. Është koha për të ngritur duart e të lutemi si kurrë më parë. Është koha dhe vendi ku profeti Muhamed, a.s, I dashuri I zemrave tona, dhe shokët e tij, shoqëria më e shkëlqyer I historisë njerëzore ju lut me përgjërim e me besim të plotë Allahut, xh.sh, Të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Është koha për duá. Sepse duája është çelësi i thesareve të pashtershme të Krijuesit, është streha më e sigurt e besimtarit.

Është koha për lutje. Sepse Islami, feja jonë e bukur, drita e syve tanë, bota jonë e shpirtit kurrë më parë nuk është keqinterpretuar dhe keqkuptuar më shumë sesa tani. Sado e rëndë të jetë për ta pranuar, faktet kokëforta, përtej zullumit dhe pengesave të “armiqve”, tregojnë se ne si besimtarë nuk kemi mundur t’ia shpjegojmë botës si duhet madhështinë e Zotit të gjithësisë, Profetin e mëshirës, fenë e paqes, mesazhin e harmonisë, vëllazërisë, sinqeritetit. Ndaj, në këtë gjendje të rëndë ku gjendemi si besimtarë, ndoshta më e para strehë ku duhet të vrapojmë është duája. T’i kërkojmë Zotit falje për mëkatet që s’kanë të sosur; t’i kërkojmë Zotit falje për mirësitë ndaj të cilave kemi qenë mosmirënjohës, t’i kërkojmë falje Zotit për gabimet që s’kanë të mbaruar. T’i kërkojmë falje që për shkakun tonë njerëzit në vend që të afrohen, ndoshta janë larguar nga feja, ose kanë qëndruar larg saj sepse përfaqësimi ynë i gabuar i ka trembur. T’i kërkojmë falje Mëshiruesit që e kemi prezantuar veten gabim, jo si njerëz të paqes, të tolerancës, të mirëkuptimit, të zemërgjerësisë, të mëshirës, të dashurisë, por si turma të pafata të larguar prej këtyre vlerave që paraardhësit tanë i patën trashëguar brez pas brezi e ne nuk po dimë t’i ruajmë ato.

Le t’i kërkojmë pra falje Allahut, të gjithë së bashku, së pari për gjynahet tona e më pas për të paudhët, për shkatërrimtarët dhe mizorët. T’ia lëmë në dorë Allahut që t’i ndryshojë e t’u pastrojë gjynahet edhe atyre, nëse nuk kanë aftësi të pastrohen të bëjë atë që do dhe di Ai. Ai është Gjykuesi më i Drejtë.

Lartësoi o Allah të gjithë ata që përpiqen të lartësojnë emrin Tënd dhe të Profetit tënd. Lartësoi o Allah ata që lartësojnë emrin e Islamit. Dhe shkatërroi ata që duan të shkatërrojnë Islamin dhe myslimanët. Amiiiin ja rabelalemiin

Le t’i kërkojmë falje Atij që di atë që shprehim dhe çfarë ne fshehim:

Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë tani, pasi na ke udhëzuar. Por na dhuro mëshirë prej pranisë Tënde, sepse Ti je dhuruesi më i madh.

Zoti ynë i Madh, ne vetëm Ty të besuam, e vetëm te Ty mbështetemi. T’u drejtuam ty me tërë fuqinë e shpirtit, dhe e dimë që në fund, përballë Teje do të vijmë.

Zoti ynë i Lartësuar, mos na lër ne vetëm për vetëm me sprovën e mohuesve! Na fal neve, sepse padyshim që Ti je i Shenjtë e i Urtë.

Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë. Zoti ynë, mos na ngarko neve ngarkesa si iu ngarkove atyre para nesh. Zoti ynë, mos na ngarko mbi atë që ne kemi forcë të mbajmë.

Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi vetes. Nëse Ti nuk na fal dhe mëshiron, me siguri do të jemi prej të humburve.

Ne jemi të padrejtë, të rrënuar dhe të shkatërruar. Si myslimanë kurrë në histori nuk kemi qenë kaq larg Teje. Kurrë nuk kemi hyrë në thellësi të tilla të dështimit. Kurrë nuk kemi qenë kaq pa Ty. Na dërgo një fllad shprese prej mëshirës Tënde. Na e ndrysho këtë gjendje mjerimi.

O strehë Burimi për të mjerët, O posedues i ilaçit për të sëmurët dhe udhëzues i qartë për të humburit! Ne të braktisëm Ty dhe u dalldisëm drejt botës. Gjatë kësaj kohe askush nuk i hapi dyert për ne. Mendimet tona u quajtën krime, ndjenjat tona u përbuzën dhe u përqeshën, veprimet tona u dënuan deri sa ne të kuptojmë se s’ka strehë tjetër veç derës së Mëshirës Tënde.

Por, Zoti ynë! Ne e dimë që deri më tani, asnjë nga ata që kanë pritur pranë derës Tënde nuk janë kthyer duarbosh, por janë kthyer prej aty me bekim prej Teje, të falur, të mëshiruar, të udhëzuar e plot shpresë. Prandaj të kërkojmë me përgjërim: hapi portat e faljes dhe mëshirës.

Dërgo një dritë nga prania Jote për ata që vuajnë në errësirë, sidomos këto ditë, kur rrethanat sociale janë në çrregullim të plotë; kur zërat e tiranëve dëgjohen kudo. Shuaj zjarrin e tiranisë dhe padrejtësisë me fuqinë tënde të pafund. Na jep një ilaç për të gjitha fatkeqësitë që kemi vuajtur për shekuj me radhë. O më i Mëshirshmi, Më i Dhembshuri, pranoji lutjet tona!

O Allah mëshiroi të afërmit tanë që kanë ndërruar jetë,

O Allahshëroi të sëmurët tanë,

O Allah na jep begati e mirësi në familjet tona. Fëmijët tanë na I bëj dijetarë e të hajrit.

O Zot i Mëshirës dhe Faljes, forcoji zemrat tona në fe. Mbushi zemrat me besim. Udhëzona ne, familjet tona, shoqërinë tonë! O i Dashur, dhurues i dashurisë, furnizoji zemrat tona me dashuri e mëshirë! Pastroji zemrat tona nga urrejtja, smira, xhelozia, armiqësia dhe çdo e keqe. O Zot, dhuroi vendit tonë paqe, begati e mirësi dhe mbroje nga çdo rrezik e fatkeqësi…

O Zot, dhuroji botës paqe e qetësi

23 SHTATOR 2015

IMG-20150923-WA0001 IMG-20150923-WA0003 IMG-20150923-WA0007IMG-20150923-WA0004