IMG_0263

KMSH organizon për të katërtin vit ritualin e Haxhit

330 besimtarë myslimanë shqiptarë kanë kryer ritualin e haxhit të këtij viti, duke plotësuar kështu një nga obligimet kryesore të fesë islame.

Para fillimit të ritualit në vendet e shenjta, haxhilerët shqiptarë kanë marrë informacionin e duhur për mënyrën e kryerjes së këtij adhurimi madhor. Myftinj, imamë e teologë kanë trajnuar besimtarët duke treguar rëndësinë, vlerat dhe simbolikën e çdo riti që lidhet me këtë adhurim. Ata gjithashtu kanë mbajtur biseda informuese dhe motivuese me tematikë të gjerë, duke folur e shpjeguar të vërtetat e Islamit, mirësitë e besimit dhe dashurinë për Krijuesin.

“Që besimi të japë frytet e veta në këtë botë dhe në tjetrën, ai duhet të zërë vend në zemër dhe në mendje, si dhe të përfshijë ndjenjat dhe jetën fizike të njeriut. Me hyrjen në besim njeriu shndërrohet në një model të shkëlqyer për shoqërinë”, është shprehur në një ligjëratë nënkryetari i KMSH-së, Ali Zaimi.

Ndërsa në një tjetër ligjëratë mbi rëndësinë e Haxhit, nënkryetari Bujar Spahiu, ndër të tjera ka thënë: “Haxhi vërteton përulësinë e besimtarëve dhe nënshtrimin e tyre ndaj urdhrave të Allahut si dhe vendosmërinë e tyre për të qenë robër të Allahut dhe kurrsesi robër të interesave dhe të mirave materiale. Pra, qëllimi kryesor i Haxhit është adhurimi i sinqertë i Allahut – ibadeti”.

Haxhilerët shqiptarë kanë kryer ritualin së bashku me 3 milionë besimtarë të ardhur nga të katër anët e botës. Gjatë qëndrimit 20 ditor në Arabinë Saudite, ata janë ndalur për disa ditë edhe në qytetin e Medinës, ku krahas Xhamisë së Profetit a.s., kanë vizituar vende dhe institucione me rëndësi fetare, historike e kulturore.

Drejtori i Zyrës së Haxhit dhe Marrëdhënieve me Botën Islame, z. Hamdi Çurri, lidhur me organizimin e haxhit të sivjetshëm tha se ai mund të konsiderohet i suksesshëm pasi çdo gjë shkoi ashtu siç ishte parashikuar. “Çdo gjë shkoi mirë dhe sipas asaj që ne kishim planifikuar dhe mendoj se ishte një organizim i suksesshëm i Komunitetit Mysliman”, u shpreh z. Çurri.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon stafin organizator për përpjekjet e lavdëruara në lehtësimin e procedurave dhe shërbimin ndaj haxhilerëve,  murshidët (shoqëruesit) e përkushtuar, ekipin mjekësor, si dhe studentët shqiptarë në Medine.

Një mirënjohje e thellë shkon edhe për grupin e haxhilerëve shqiptarë, model qytetarie dhe përkushtimi, që sakrifikuan pasurinë dhe shëndetin e tyre për të qenë më afër Zotit në këtë Udhëtim jete.

IMG_9964  IMG_9813IMG_0498IMG_0332

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë