selim muca konference

Përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri vlerësojnë harmoninë dhe bashkëjetesën fetare  si një vlerë të çmuar të kombit tonë dhe si një shembull për të gjithë vendet e tjera.

Duke folur në konferencën temë “Harmonia ndërfetare vlerë e trashëgimisë shqiptare”, kreu i Komunitetit Mysliman Selim Muça u shpreh se bashkëjetesa fetare ka arritur të mbijetojë edhe gjatë regjimit komunist duke u shndërruar në një vlerë për shoqërinë tonë.

“Modeli i shkëlqyer i harmonisë fetare përbën një aspekt pozitiv të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare dhe ai nuk ka pësuar ndryshim gjatë kohës dhe sot është shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjet tona. Bashkëjetesa fetare në vendin tonë është një model dhe është në dobi të politikës dhe të vlerave morale të shoqërisë”, tha Kreu KMSH H. Selim Muça.

 

Fjalimi i plotë i Kryetarit të KMSH-së Haxhi Selim Muça

 

Kam nderin dhe kënaqësinë të përshëndes në emrin tim dhe të gjithë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, këtë konferencë të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me Harmoninë Ndërfetare: Vlerë e trashëguar kombëtare Shqiptare.

Shqipëria prej shekujsh përjeton një tolerancë dhe bashkëjetesë në harmoni midis besimeve, etnive dhe kulturave të ndryshme. Nëse ne i shtojmë kësaj bujarinë, besën dhe mikpritjen tradicionale shqiptare, shohim se me të vërtetë dhe brenda modestisë mund të pohojmë me plot gojë se, përbëjmë një gur të veçantë rrezatues me vlerat tona, në mozaikun botëror.

Këto vlera janë arritur nëpërmjet mësimeve të shenjta, që na japin librat tanë hyjnorë dhe në rastin tonë Kur’ani dhe Tradita Profetike, që na urdhërojnë për paqe, harmoni dhe bashkëjetesë. Paraardhësit tanë ushqyen vetëm virtyte dhe mirësi, duke na lënë neve sot këtë trashëgimi të madhe. Pra, nuk është rastësi që prej vitesh të organizohen në vendin tonë konferenca të tilla.

Shohim se prej shekujsh në shoqërinë shqiptare, kultet fetare, si xhamiat dhe kishat etj, janë pranë njëra-tjetrës dhe bashkëjetojnë, duke e ruajtur harmoninë nga keqdashësit, që lëshojnë provokimet e tyre dhe asnjëherë nuk kanë gjettur terren në Shqipëri. Populli shqiptar me besimin islam dhe të krishterë ka qenë, është dhe do të jetë shembull i harmonisë fetare në historinë e popujve të Ballkanit, Europës dhe më gjerë. Harmonia ndërfetare nuk është diçka e formuar në kohët moderne, por një traditë që vjen nga thellësia e shekujve e cila duhet ruajtur e trashëguar.

Modeli i shkëlqyer i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri përbën një aspekt shumë pozitiv të kulturës së shoqërisë shqiptare. Ai nuk ka pësuar ndryshime pavarësisht nga regjimet që kanë kaluar, izolimi i vendit, apo ndalimi i besimit. Përkundrazi, ka qëndruar dhe është zhvilluar duke u shndërruar në një vlerë të çmuar identifikuese për shoqërinë dhe familjen shqiptare.

Së fundmi, mirëkuptimi ndërfetar në Shqipëri i cili trashëgohet nga të parët tanë prej shekujsh, është model i shkëlqyer i harmonisë jo vetëm për vendin tonë dhe rajonin, por edhe më gjerë. Prandaj, krahas angazhimit në promovimin e mirëqenies ekonomike, materiale dhe integrimin e shoqërisë, është e nevojshme për më shumë besim dhe rrugë të lira drejt besimit në Zot.

Bashkëjetesa ndërfetare në vendin tonë është një model për gjithë aspektet e elementet, aktorët e faktorët e shoqërisë shqiptare. Madje, mesazhi që na përcjell bashkëjetesa normale e feve të ndryshme në Shqipëri, është në dobi të zhvillimit të politikës shqiptare dhe të vlerave morale.

Në fakt, bashkëjetesa prej shekujsh e myslimanëve dhe e të krishterëve tek populli shqiptar, ka bërë që harmonia ndërfetare të jetë një domosdoshmëri historike, duke shërbyer kështu, si mjet dhe faktor, që ka siguruar unitetin kombëtar dhe ekzistencën tonë edhe si popull.

Zoti ju bekoftë!

Ju faleminderit!

 31 Maj 2013

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë