IMG_7117Xhamia e re e Zgoshtit ka hapur dyert e saj përmes një ceremonie festive ku merrnin pjesë kancelari i Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, Myftiu  i Tiranës, H. Ylli Gurra, drejtori i Kabinetit në KMSH, z. Oltion Kola, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Shefki Çota, drejtori i Organizatës Botërore të të Rinjve Myslimanë “WAMY”, z. Hektor Saliaj, miq e të ftuar të shumtë.

Mirëseardhjen në emër të Myftinisë Librazhd pjesëmarrësve ua uroi administratori Xhevahir Bahiti. Pas urimeve të rastit, z. Bahiti tha se banorët e Zgoshtit që sot do të kenë një institucion, i cili do të shërbejë jo vetëm për adhurimin e Zotit, por edhe për edukimin dhe arsimimin e brezave.

Kancelari  Ali Zaimi falënderoi në emër të Kryetarit Skender Bruçaj donatorët për kontributin e çmuar, organizatën “WAMY” me drejtor z. Hektor Saliaj, myftininë, autoritetet lokale dhe çdo person kontribues për ngritjen e kësaj vepre me rëndësi fetare e sociale.

“Xhamia është vendi ku gatuhet dashuria për Zotin, për Profetin, për njerëzit; është vendi që shërben për t’u gatuar morali i bukur. Në këtë këndvështrim, ajo na ndihmon për t’u bërë më të devotshëm ndaj Zotit dhe për të qenë më afër e më solidarë me njëri-tjetrin”, tha z. Zaimi.

Deputeti Taulant Balla falënderoi Komunitetin Mysliman për ngritjen e këtij institucioni të rëndësishëm që i mungonte prej kohësh fshatit dhe banorëve.

“Ne politikanët – u shpreh në vijim z. Balla, – e kemi pak të vështirë të flasim në xhami, sepse partitë politike i ndajnë njerëzit, kurse Kurani ka bërë një gjë shumë të mirë, duke i bërë bashkë të gjithë njerëzit pa dallim. Le të jetë kjo xhami një simbol bashkimi për të gjithë ne, duke ditur se besimi në Zot na bën më të mirë dhe më të drejtë. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mirësi dhe drejtësi.”

Z. Balla gjatë fjalës së tij vlerësoi lart ish kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Hafiz Sabri Koçin. “Hafiz Sabri Koçi ishte nga këto rrënjë, i lindur në Orenjë. Për këtë arsye por sidomos për kontributin e tij të madh vazhdon të mbetet një kujtim i veçantë për të gjithë popullin e Librazhdit”, tha z. Balla.

Ndërsa Myftiu i Tiranës Ylli Gurra shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë ceremoni të gëzueshme, duke u lutur që besimtarët e Zgoshtit të kenë një mundësi më shumë për t’u kthyer nga Zoti dhe dyert e mëshirës së Tij.

Pjesëmarrësit e shumtë i përshëndetën me radhë Myftiu i Librazhdit, z. Ivan Asllanaj, drejtori i shoqatës financuese z. Hektor Saliaj, etj.

Të gëzuar për këtë objekt aq shumë të dëshiruar të pranishmit kanë mbushur faltoren e re islame. Hytben e parë të xhumasë e mbajti Myftiu i Tiranës Ylli Gurra, kurse namazin e drejtoi Kryevaizi i Shqipërisë, Hafiz Shaban Saliaj.

25 Prill 2014

IMG_7129

IMG_7163

IMG_7200

IMG_7098