IMG_6264Xhamia e re Libohovës ka hapur dyert e saj në një ceremoni ku merrnin pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, drejtori i Burimeve Njerëzore, z. Dorian Demetja, myftinjtë e rretheve Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Delvinë e Sarandë, drejtori i fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, përfaqësues të shoqatave bamirëse dhe të ftuar të shumtë.

Mirëseardhjen në emër të Myftinisë Gjirokastër të pranishmëve ua uroi myftiu Ledian Cikalleshi. Pas falënderimit dhe urimeve të rastit, z. Cikalleshi tha se Libohovës së bukur e me vlera iu rikthye ajo pjesë që i mungonte prej vitesh, xhamia, vatra e ngrohtë e besimit, dijes dhe kulturës.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman H. Bujar Spahiu falënderoi donatorët dhe Bejtuz Zekat nga Kuvajti për investimin si dhe fondacionin “Mirësia” me drejtor z. Korab Kaja, që mori përsipër ndërtimin e kësaj vepre madhështore.

“Falënderojmë Zotin që na ka mbledhur në këtë ditë të përurojmë këtë xhami të re. Allahu i nderoftë sponsorizuesit dhe ndërtuesit e kësaj xhamie dhe të gjithë ata që kontribuojnë për të mirën dhe përparimin e fesë islame”, u shpreh z. Spahiu. Ndërsa për ata që ndërtojnë xhami, z. Spahiu rikujtoi hadithin përgëzues të Pejgamberit a.s. që thotë: “Kush ndërton në këtë botë një xhami, atij do t’i sigurojë Allahu një banesë në xhenet”.

Drejtori i fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, falënderoi Komunitetin Mysliman për bashkëpunimin dhe në mënyrë të veçantë Bashkinë Libohovë për ndihmën e dhënë në këtë projekt të rëndësishëm e me interes të madh social. Duke folur për rolin dhe rëndësinë e institucionit të xhamisë, ai theksoi se bukuria e xhamisë nuk konsiston në pamjen e saj fizike, por në atë sesa frekuentohet dhe shfrytëzohet prej njerëzve.

Në ceremoni përshëndetën me radhë sekretari i Bashkisë Libohovë, z. Bashkim Ismailati dhe myftinjtë e rretheve Delvinë, Sarandë, Përmet e Tepelenë.

Në një vend të admirueshëm për këdo që e vështron dhe e vendosur në territorin e xhamisë së vjetër, xhamia e Libohovës plotëson deri diku ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve dhe besimtarëve të saj të akumuluara prej vitesh për të rindërtuar xhamitë e prishura nga regjimi komunist.

15 Prill 2014 

IMG_6306IMG_6280

IMG_6234