Nata e Kadrit është një ndër netët e bekuara të muajit Ramazan, e cila gjendet në dhjetëditëshin e fundit të tij.

Kurani i Madhërishëm, hadithet profetike, komentimet e dijetarëve të mëdhenj, tregojnë për rëndësinë dhe vlerat e mëdha që përmban kjo natë.

Është nga ngjarjet e mëdha Nata e Kadrit, aq sa ka një sure të veçantë në Kuran, e cila mban këtë emër dhe përshkruan veçoritë e saj.

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.
-E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?
-Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.
-Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet.
-Paqe është ajo deri në lindjen e agimit. (Kuran, 97: 1-5)

Motra dhe vëllezër besimtar, nuk duhet të na fashitet asnjëherë nga nënvetëdija jonë se, kjo natë është në një farë mënyre (me lejen e Zotit) edhe çështje përpjekje.

Pra, shkujdesja në gjithë vitin, shkujdesja në gjithë Muajin e Ramazanit, nuk janë tregues se Nata e Kadrit arrihet të kapet dhe të përfitohet gjithçka ajo nëse je i shkujdesur.

I shkujdesuri me të devotshmin kanë dallime të mëdha, Allahu e di mësë miri!

Nata më e bekuar është ajo që shënon çlirimin e njeriut përgjithmonë nga prangat e mëkateve e për t’u mos kthyer më në jetën e papastër.

Kur besimtari mundohet të përmbushë detyrën e tij ndaj Zotit me të gjitha aftësitë që posedon, u bindet porosive të Tij, dhe kalon muajin Ramazan në adhurim, lutje, reflektim dhe lexim Kurani dhe në veprat që e shpien drejt Zotit, atëherë si shpërblim i jepet Nata e Kadrit.
Në plotësim të këtyre shkaqeve, me lejen e Zotit zbret nga Arshi dhe vjen pranë robit të Tij, mëshira e pakufijshme, e shpëton nga papastërtia dhe i plotëson çdo lutje.

Profeti (a.s.) në këtë natë lutej:

“Allahume inneke a’fuvun Kerimun tuhibbul a’fva faa’fu anni.
O Allah! Ti Je Falës, shumë Bujar. Të pëlqen falja. Më fal mua!”

Në këtë natë, Zoti zbret mëshirë mbi robërit e Tij, të cilët i nënshtrohen me sinqeritet vullnetit të Tij dhe kërkojnë rrugë për t’iu afruar Atij.

Vlera më e madhe e kësaj nate është që në të zbriti libri më madhështor, Kurani, mbi Profetin, Muhamedin (a.s.), drita e të cilin nuk do të shuhet kurrë deri në kijamet.

Allahu ka dashur që mirësinë dhe begatinë e Tij Absolute t’ia zbresë njeriut në këtë natë.

Dhe zbërthimi i kësaj mirësie e begatie absolute Hyjnore, na vjen në hadithe nga i ndrituri, Muhamedi (a.s.)

Ebu Hurejrah r.a. ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:

-Kushdo që falet në Natën e Kadrit, me besim të sinqertë dhe me shpresë në shpërblim, atij i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.

I Dërguari i Allahut (a.s.) me anë të porosive të përsëritura, na ka nxitur të mos jemi indiferentë dhe të paditur nga vlerat e kësaj nate, përkundrazi ta kërkojmë atë me anë të lutjes dhe istikfarit (kërkim faljes).

Dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit e gjente të Dërguarin e Allahut (a.s.) duke bërë përpjekje të mëdha në adhurim e në vepra të mira, që nuk kishte bërë më parë. Në dhjetëditëshin e fundit, Profeti (a.s.) largohej nga çdo veprimtari tjetër e i përkushtohej plotësisht adhurimit të Zotit duke bërë itikaf në xhami.

E lusim Zotin të na bëjë të mundur ta gjejmë këtë Natë dhe të përfitojmë prej saj!

Amin!