Cikli i mbrëmjeve “Frytet e Besimit” u zhvillua mbrëmjen e djeshme në xhaminë e Pazarit të Ri në Tiranë

Të pranishëm në bashkëbisedim me besimtarët e rastit, ishin Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu dhe Imami i Xhamisë së Et’hem Beut Z. Elton Karaj.

Programi vazhdoi menjëherë pas faljes së namazit të akshamit nga imami i kësaj xhamie z. Saimir Ismaili.

Në trajtimin e temës “Sinqeriteti i besimtarit në adhurim” nënkryetari Spahiu, u ndal në rëndësinë e kryerjes së çdo pune me nijetin e pastër për hir të Zotit të gjithësisë, duke theksuar se kjo botë është bota e shërbimit dhe jo e shpërblimit. Shpërblimi për punët e mira dhe për aktet e shërbimit jepen në botën e ndërmjetme dhe të përtejme. Meqenëse realiteti është ky, atëherë rezultatet e shërbimeve për hir të Zotit dhe e veprimeve që lidhen me botën e përtejme, nuk duhet të kërkohen në këtë dynja, madje as me zemër.

“Është mëshira e Zotit që më shumë se për veprën e kryer, njeriu trajtohet për nijetin në brendësi të tij. Sigurisht që ato të cilat i ka përfituar nijeti i njeriut vlejnë shumë më tepër se ato që i ka përfituar vepra apo akti i tij” – tha ai gjatë ligjërimit të tij.

Programi vazhdoi më tej me ligjërimin e z. Elton Karaj, i cili ndau me besimtarët e pranishëm rëndësinë e “Dhikrit” ose të përmendjes së Allahut në jetën tonë të përditshme.

Pasi parashtroi rëndësinë e përmendjes së Allahut sa më shpesh dhe sa më shumë si një ndër ilaçet më të forta në forcimin e besimit, ai tha se dhikri është adhurim të cilin mund ta kryesh në çdo kohë dhe në çdo gjendje, duke ecur, duke gatuar, duke drejtuar automjetin etj. Nuk të merr kohë, nuk të lodh, megjithatë shpërblimin e ka shume të madh.

“Po te shohim gjuha është organi qe lëviz më shumë dhe nuk lodhet dhe për atë që bën i është dhëne shpërblimi më i madh. Por adhurimi me gojë, ka si kusht që të bëhet sa më shpesh. Këtë e kuptojmë nga Kur’ani Famëlartë i cili në çdo ajet që përmendet përkujtimi i Zotit, e përfundon me fjalën “shpesh” ose “shume”. Kjo, pasi ti po kujton Krijuesin e gjithësisë” – tha ai.

Programi vazhdoi më tej me pyetje përgjigje të ndryshme nga besimtarët që ishin të pranishëm.