Xhamia e Selites (3)Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u organizua mbrëmë në Xhaminë e Selitës, ku u fol mbi dashurinë dhe respektin ndaj prindërve.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Gazmend Aga, u shpreh se në prag të fillimit të tre muajve të bekuar, ky program u ndal në Xhaminë e Selitës, një xhami që edhe pse e re, ka një xhemat të konsoliduar, kryesisht të rinj.

Drejtori i Kulturës në KMSH, Genti Kruja, u shpreh se kur sheh gjithë këta të rinj që shtohen në radhët e besimtarëve, ndoshta jemi plotësimi i duasë së të parëve tanë që nuk mund ta jetojnë besimin në liri.

“Respekti ndaj prindërve është një detyrim jo vetëm moral, por edhe një obligim fetar. Përsosmëria e një kombi dhe e një shoqërie nis nga familja. Nëse ajo nuk është e ngritur mbi parime edukative e morale, nuk kemi çfarë të presim dhe të kërkojmë nga shoqëria. Prindërit janë të parat qenie që duhet të respektojë njeriu. Kush e lë mangët respektin ndaj prindërve, quhet se ka kundërshtuar Zotin”, nënvizoi z. Kruja.

Ndërsa imami i Xhamisë së Medresesë, Lauren Luli, theksoi se lidhja apo respekti fëmijë-prind është një lidhje që vjen paralel me adhurimin e Allahut. Ai shtoi më tej: “Sot ne kemi më shumë nevojë për shërimin e qelizës më të rëndësishme të shoqërisë, familjen. Dhe për këtë duhet respekt dhe dashuri reciproke prind-fëmijë. Nëse nuk ngrihen këto ura lidhëse atëherë familja është e destinuar të shkatërrohet, për rrjedhojë edhe shoqëria.”

Kjo mbrëmje e mbushur me frytet e besimit u hap nën melodinë e ajeteve të Kurani dhe u mbyll me një ilahi kushtuar Profetit Muhamed a.s.

22 Prill 2014

Xhamia e Selites (1) Xhamia e Selites (2)  Xhamia e Selites (4)