Cikli i ligjëratave “Frytet e Besimit” është organizuar mbrëmjen e djeshme në Xhaminë e qendrës të qytetit të Fierit.

Dhjetra besimtarë ishin të pranishëm për të përfituar nga urtësitë dhe mesazhet e këtyre mbrëmjeve fetare.

Për të ligjëruar ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli dhe pedagogu i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Xhemal Saferti.

Pas prezantimit nga Myftiu i Fierit, z. Taulant Bica dhe theksimit të rëndësisë që ka besimtari për rifreskimin e besimit është vijuar me lexim Kurani dhe ligjërata.

Nënkryetari i KMSH-së tha se besimtari jeton në këtë botë i terhequr vazhdimisht nga dy pole, nga e mira dhe nga e keqja por ai duhet gjithmonë të largohet nga e keqja dhe të jetë besnik i rrugës së drejtë të cilën e ka mësuar nga i dashuri i zemrave të Profeti Muhamed a.s..

“Besimtari është gjithmonë kërkues i devotshmërisë, pastërtisë dhe i punëve që e afrojnë atë me dashurinë ndaj Allahut. Ai jeton mes frikës se do të veprojë punë në të cilën është mërzia e Allahut dhe me shpresën se do të falet kërkon mëshirën ndaj Mëshirëplotitpër çdo gabim të kryer me apo pa dashje”, th z. Luli.

Ndërsa pedagogu i Shkencave Islame u ndal me gjerësisht tek tema e devotshmërisë.

“Devotshmëria është shpirti i besimtarit. Profetët kanë shpenzuar çdo gjë vetëm për të harritur devotshmërinë. Besimtari duhet të këtë kujdes për çdo vepër që bën, për çdo fjalë që thotë dhe të kujdeset për shikimin e tij. Devotshmëria është program jete, me të cilin besimtari ngrihet nga kënaqësitë kalimtare të kësaj bote në bukuritë e adhurimit, duke u larguar kështu nga mëkatet dhe pengesat”, tha Dr. Saferti.

Cikli i mbrëmjeve fetare zhvillohet çdo javë në xhami të ndryshme në mbarë vendi.