Mbrëmjen e djeshme, pas namazit të jacisë, në xhaminë “Xhura” në Tiranë, u zhvillua një tjetër mbrëmje fetare në kuadër të ciklit të ligjëratave “Frytet e Besimit”.

Në këtë mbrëmje, ishin të pranishëm: z. Erjol Haxhiu, Drejtor i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, z. Gazment Teqja, Myfti i Tiranës dhe imami Gentjan Mara.

Në fjalën e tij hapëse, pas falënderimeve për pjesëmarrësit, z. Mara, theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla në rifreskimin e vlerave të besimit. Ai nënvizoi se këto aktivitete janë një mundësi për t’u bashkuar dhe për të reflektuar mbi thelbin e besimit dhe rrugën që ndjekim çdo ditë.

Për të vijuar më tej me Myftiun e Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili u ndal mbi jetën dhe mësimet e Profetit Muhammad (s.a.s.), duke vënë theksin tek sjellja e tij ndaj të tjerëve dhe mënyra se si mësimet e tij janë ende aktuale për ne në ditët e sotme. Ai u bëri thirrje besimtarëve të përpiqen ta pasqyrojnë këtë shembull të lartë në jetën e tyre të përditshme, duke u mbështetur në etikën dhe vlerat që Profeti Muhamed (s.a.s) ka lënë si trashëgimi.

Në vijim, Drejtori i Thirrjes dhe Mesazhit Islam në KMSH, z. Erjol Haxhiu, ndau disa këshilla të vyera për ruajtjen dhe kultivimin e mëtejshëm të etikës dhe moralit islam. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave të larta të besimit, duke iu referuar udhëzimeve Profetike dhe shembujve të Sahabëve të nderuar, të cilët i karakterizonte devotshmëria.

Në përfundim të kësaj mbrëmjeje frymëzuese, besimtarët e pranishëm patën mundësinë të konsumonin nga uji i zemzemit të sjellë me këtë rast.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë