I nderuar President i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia Juaj Z. Ilir Meta

I nderuar Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj

I nderuar Myfti i Kosovës, Naim ef. Tërnava

Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Të nderuar drejtues institucionesh, përfaqësues të medias, botës akademike, artit, kulturës dhe biznesit!

Zonja dhe zotërinj…

Të nderuar miq!

Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ju falënderoj të gjithëve që u bëtë pjesë e këtij aktiviteti në 95 vjetorin e themelimit të institucionit tonë.

Kongresi Mysliman Shqiptar, i mbajtur 95 vite më parë, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. Ai shënon një stad të rëndësishëm në rrugën për reformimin e organizimit islam, në përputhje me kërkesat e kohës dhe sidomos me faktin, që u theksua shumë asokohe, vendndodhjen e Shqipërisë në mesin e Evropës.

Haxhi Vehbi Dibra do të ishte njëri prej rilindësve patriotë, të cilin petku fetar i një kleriku të mirëfilltë mysliman nuk e pengoi kurrë t’i shërbente atdheut të tij. Ai do të ishte kryetari i parë i Pleqësisë, apo Senatit në Pavarësi, firmëtar i saj dhe dhënësi i fetvasë për përdorimin e flamurit shqiptar në gjendjen, që na paraqitet edhe sot. Ai do të ishte njëkohësisht kryemyfti i Shqipërisë deri më 1923, vit kur u zgjodh edhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, detyrë që e kreu në kushte shumë të vështira, deri në vitin 1929.

Gjatë kohës që Komuniteti Mysliman drejtohej prej tij, Islami do të përjetonte një hap cilësor, do të organizoheshin tre Kongrese myslimane, do të ngrihej në kryeqytet Medreseja e Naltë, e cila, më vonë, do të quhej Medreseja e Përgjithshme, ku do të përgatiteshin disa breza intelektualësh myslimanë, brezat e fundit të së cilës do të ishin ata që rihapën xhamitë në vitin 1990 në Shqipëri

Në tetor të vitit 1923 do të botohej revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman, e titulluar “Zani i Naltë”, në të cilën vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve, që lanë shënimet dhe shkrimet e tyre.

Përherë hoxhallarët e dijetarët patriotë e atdhetar, bashkë me ruajtjen e forcimin e bashkëjetesës ndërfetare, i mëshonin shumë binomit “Fe-Atdhe” dhe dashurinë për atdheun e konsideronin, si pjesë të besimit. Një nga emrat më të shquar të letrave të asaj kohe, i quajtur ndryshe edhe rilindasi i fundit Hafiz Ali Korça shprehej kështu:

Atdheu është kutia, feja xhevahiri,

Rron në kuti brenda e ruhet floriri,

Për të mbrojtur nderin na duhet kutija,

Po s’pate Atdheun, shkon feja, inxhija.

Shumë më përpara se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e pati dhënë në mënyrën më alarmuese po ky dijetar që në vitin 1925 me librin e botuar asokohe “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Ndër të tjera konstaton:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhamedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer në ditën e Kijametit.

Edhe ndërhyrja e shtetit komunist në organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar do të ishte shumë e dhunshme. Duke filluar me sekuestrimin e pronave, kontrollin mbi buxhetin, ndalimin e literaturës, kufizimin e rreptë dhe kontrollin mbi Medresenë, etj.

Politika komuniste filloi një propagandë të ashpër “demaskuese” nëpërmjet shtypit të kohës, radios, formave të edukimit, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë.

Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, sigurimi i shtetit u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori, e cila zgjati deri në fillim të viteve ‘90.

Më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia e rihapjes së xhamisë së Plumbit në Shkodër në praninë e 50 mijë të pranishmëve, të ardhur jo vetëm nga qyteti, por edhe nga rrethinat nën drejtimin e Hirësisë së tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i cili kishte vuajtur mbi 20 vite në burgjet komuniste.

Hapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë, që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ishte harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve.

Shqipëria në vitin 1991, si në të gjitha fushat edhe në aspektin fetar ishte e mjeruar. Mbi 1600 xhami, që funksionin në të kaluarën, ishin rrafshuar për tokë dhe ndonjë që kishte mbetur si ndërtesë ishte shndërruar e kthyer në magazinë, klub, apo lënë në mëshirën e lagështirës e të kohës. Vetëm nga dëshira e mirë e njerëzve besimtarë e me shumë punë, u bë diçka që ato të meremetoheshin e të ktheheshin në mjedise për të kryer ritet fetare.

Kështu dalëngadalë, me një punë të kujdesshme e plot sakrifica filluan të hapen xhamitë e para, të meremetohen ato që kishin mbetur kur dorëzoheshin nga organet e pushtetit, u hapën salla për të kryer faljen e predikimet e rastit, u ndërtuan xhami të reja.

Hapja e institucioneve arsimore e medreseve kërkonte kuadrin e nevojshëm, kërkonte bazën materiale mësimore, kërkonte nxënës, kërkonte rregulloret përkatëse programet dhe tekstet mësimore. Të gjitha mungonin. Kishte vetëm dëshirë, pasion dhe gatishmëri për t’ia filluar punës.

Natyrisht, që për të ardhur në ditët e sotme për konsolidimin e institucioneve islame anekënd vendit, me shkolla bashkëkohore dhe një universitet, që na bën krenarë të gjithëve, është dashur një punë dhe sakrificë e madhe.

Të nderuar miq!

Në kushtet e një shoqërie moderne, bashkëkohore e integruese, myslimanët shqiptarë janë pjesë e pandarë në proceset integruese me vizione që e ndihmojnë këtë proces. Hoxhallarët dhe dijetarët myslimanë shqiptarë, të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre do të jenë në kohezion me metodologjinë e interpretimit të Islamit në këtë botë komplekse shqiptaro-evropiane, si në aspektin gjeokulturor e gjeopolitk, ku përkatësia definitivisht është brenda Perëndimit, ashtu edhe me frymën postmoderne, që po bëhet mbizotëruese në botëkuptimin kulturor të shqiptarëve të sotëm.

Ruajtja e trashëgimisë së vyer të popullit tonë, ruajtja e familjes tradicionale, si qeliza bazë e një shoqërie të shëndoshë, edukimi i brezit të ri me normat më të mira morale e shoqërore dhe refuzimi i devijimeve që minojnë në mënyrë të pariparueshme themelet e shoqërisë sonë, janë sfidat tona të përbashkëta në proceset integruese të kombit tonë

Aspiratat dhe sfidat e myslimanëve shqiptarë janë të njëjta me ato të të gjithë shqiptarëve në trojet tona. Jemi evropianë dhe në vorbullën e rrëmujës social-kulturore që provokon globalizmi, një komb i vogël si yni duhet të përshtatet, duke provuar që të ruajë sa më shumë ekuilibrat e vet të brendshëm. Ne do të kemi sukses vetëm duke ruajtur ekuilibrat e brendshëm, si një komb evropian, me shumicë myslimane, ku kultivohet seriozisht harmonia fetare, e jo thjesht si një retorikë politike.

Ne jemi të qartë e të kthjellët në përgjegjësitë tona para Zotit dhe para shqiptarëve. Ato vazhdojnë të jenë të njëjta me idealet e themeluesve të këtij institucioni e njëkohësisht të këtij shteti.

Ju faleminderit!

Skender Bruçaj

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë