Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Skender Brucaj, priti në një takim pune Ministren e Kulturës, Znj. Mirela Kumbaro, takim në të cilin u firmos marrëveshja e restaurimit të 5 xhamive: Xhamia e Et’hem Beut në qendër të Tiranës, Xhamia e Beqarëve, Xhamia Mbret dhe Teqeja Halvetiane në Berat si dhe Xhamia e Pazarit në Gjirokastër.

Së bashku me Ministren e Kulturës morën pjesë edhe drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Monumenteve të kulturës, inxhinierë e arkitektë, anëtarët e kryesisë së komunitetit, myftinjtë e rretheve ku bëjnë pjesë xhamitë e përfshira në projektin e restaurimit, si dhe përfaqësuesit e zbatimit të këtij projekti.

Në fjalën e tij hapëse, Kryetari Brucaj, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, bëri një rezyme të shkurtër të xhamive të ndërtuara dhe të restauruara deri më tani si bashkëpunim i institucionit që ai drejton me Ministrinë e Kulturës. Më tej ai njohu të pranishmit me nevojën për restaurim të xhamive të lartë përmendura, ku ndër të tjera u shpreh se: “Këto xhami, këto objekte kulti janë burim drite për të gjithë sytë, jo vetëm të besimtarëve myslimanë por për të gjithë sytë e shqiptarëve pasi ato janë pjesë e historisë, e kulturës dhe e trashëgimisë tonë të përbashkët, është amaneti jonë që do ta ruajmë e do t’jua përcjellim ashtu siç na e lanë të parët tanë, brezave të ardhshëm”.

Ndërsa Ministrja Kumbaro, në fjalën e saj shtroi rëndësinë e bashkëpunimit jo vetëm me komunitetet fetare në vend, por më të gjithë faktorët e nevojshëm për të mirëmbajtur dhe përfaqësuar denjësisht pasuritë tona kulturore.

“Padyshim objektet e kultit janë një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë tonë kulturore, qoftë xhamitë, kishat katolike, kishat ortodokse, teqetë, kalatë, urat apo edhe ndërtesat. Të gjitha këto janë pasuri kolektive, dhe është shumë e rëndësishme që mirëmbajtja e tyre, të jetë po aq përgjegjësi kolektive duke ndarë qartazi detyrat përkatëse. Unë besoj që kemi mbërritur në një moment kur kjo përgjegjësi, ky ndërgjegjësim i aktorëve të ndryshëm në shoqëri për ta mbajtur gjallë trashëgiminë tonë kulturore është në një shkallë shumë më të lartë se më parë”.- u shpreh ajo.

Më tej, të dy krerët e institucioneve nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, ku sipas të cilës puna për restaurimin e xhamive do të fillojë menjëherë.

Ndërsa Arta Dollani, Drejtoresha e Institutit të Monumenteve, së bashku me inxhinierët dhe përfaqësues të tjerë të kësaj drejtorie, prezantuan për të pranishmit projektet e restaurimit për çdo xhami së bashku me të gjitha detajet.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje përgjigje nga të pranishmit, të cilët prekën aspekte të ndryshme të restaurimit dhe mirëmbajtjes së xhamive.

Këto projekte do të financohen nga Agjencia Turke për Zhvillim (TIKA) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve në Turqi.