Fier (1)Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia Fier, organizuan paraditen e së shtunës më 8 Shkurt 2014, një simpozium kushtuar personalitetit më të rëndësishëm të njerëzimit, Profetit Muhamed a.s., i cili erdhi si mëshirë për botët.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman H. Bujar Spahiu në referatin e tij, përmendi sjelljet e Profetit Muhamed a.s. me njerëzit, ku edhe në këtë aspekt si në çdo gjë tjetër, ai ishte dhe mbetet shembull i pashoq. “Nëse do të dëshirojmë të arrijmë një përfundim të mirë duhet të ndjekim metodën e vulës profetike dhe për të çliruar zemrat e njerëzve, një ndër rrugët më të përshtatshme është të tregosh urtësinë dhe dashurinë e kësaj feje të përsosur”, u shpreh z. Spahiu.

Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë z. Fejzi Shaholli, u shpreh se të gjitha mesazhet hyjnore, kanë në qendër të tyre vlerat morale dhe dinjitetin njerëzor dhe se Profeti Muhamed a.s. ka qenë shembull, në promovimin e tërësisë së vlerave humane e në ruajtjen e dinjitetit njerëzor, pasi Ai, erdhi me misionin për të përsosur moralin njerëzor.

Ndërsa Myftiu i Fierit z. Karafil Manaj u shpreh se profeti i mbarë njerëzimit Muhamedi a.s. ishte shembulli më i përkryer, cili kujdesej edhe për detajin më vogël, në mënyrë që të çonte në vend urdhrin e Krijuesit, ashtu siç i ka hije një Profeti.

Në simpoziumin e organizuar në teatrin e qytetit, u shfaq edhe dokumentari i KMSH-së “Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të”, i cili u pëlqye nga pjesëmarrësit.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Fier (2) Fier (3) Fier (4) Fier (5)