IMG_7745Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia Elbasan organizuan sot paradite, datë 31 gusht 2013, simpoziumin me temë “Haxhi, udhëtimi i jetës. Në këtë aktivitet u trajtua rëndësia, vlerat dhe dobitë e haxhit, shtyllën e fundit të fesë Islame. 

 

Aktiviteti nisi me këndimin e një pjese kur’anore. Në vijim, të ftuarit në emër të organizatorëve  i përshëndeti Myftiu i Elbasanit, H. Agim Duka. Në fjalën e tij z. Duka, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, foli për rëndësinë e haxhit dhe shpjegoi arsyen e bërjes detyrim për myslimanin. “Arsyeja e obligimit të haxhit është demonstrimi i besimit dhe ndjenjës së dashurisë për Zotin e Lartë”, – u shpreh myftiu Duka.

Nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu, referoi mbi temën“Roli edukativ i haxhit”. Në fjalën e tij, z. Spahiu solli në vëmendje disa nga vlerat e shumta të këtij rituali dhe shpjegoi se haxhi është prej adhurimeve që kryhen në të njëjtën kohë me trup dhe shpirt. Sipas tij, haxhi një akt i pasurimit shpirtëror por edhe moral e edukativ për individin dhe shoqërinë.

“Nëse vështrojmë me kujdes ritet e haxhit, – vijoi z. Spahiu, – do të vërejmë se aty fshihen dobi të shumta, qoftë në  aspektin individual dhe atë shoqëror. Një gjë e tillë kuptohet nga ajeti kur’anor, kur Zoti flet për dobitë e haxhit: “(besimtarët vijnë) për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi)…”

Duke shfrytëzuar këtë rast, ai u bëri thirrje besimtarëve të pranishëm që ta kryejnë sa më  shpejt haxhin nëse i kanë mundësitë materiale, për të përfituar prej këtij adhurimi vlerashumë.

Për temën “Kuptimi i ritualeve të haxhit” referoi Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore në KMSH. Në fjalën për auditorin z. Demetja  theksoi se haxhi është aq madhështor, saqë ndikimi nuk është i mundur të vërehet në asnjë vend tjetër apo bashkësi në faqe të dheut. “Zbatimi i ritualeve të haxhit është një përgjigje e duhur, të cilën njeriu e kërkon gjatë gjithë jetës së tij. Kjo kërkesë është të fituarit e kuptimit. Njerëzit e shekullit tonë po vuajnë shumë nga mungesa e dhënies së një kuptimi të mendimeve dhe sjelljeve të tyre. Haxhi posedon fuqinë dhe kapacitetin që t’i japë kuptim të gjitha veprave dhe mendimeve të njeriut”, u shpreh z. Demetja.

Më tej, teologu Demetja shtoi se në vizitën që i bën vendeve të shenjta, njeriu kujton sakrificën e profetëve Ibrahim dhe Ismail (a.s.), si dhe përpjekjet vetëmohuese të Profetit Muhamed a.s. dhe shokëve të tij për udhëzimin dhe orientimin e njerëzve në rrugën e besimit dhe virtytit.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Demetja u lut për të pranishmit në sallë që Zoti t’ua mundësojë sa më shpejt këtë udhëtim, ndërsa për myslimanët që Ai ka zgjedhur si mysafirë të Shtëpisë së Tij për këtë vit, një haxh mebrur, të bukur dhe fund e krye të pranuar.

Aktiviteti u mbyll me një koktej. Për pjesëmarrësit u dhurua numri i fundit i revistës “Drita Islame”.

Simpoziume me të njëjtin titull “Haxhi, udhëtimi i jetës” do të mbahen edhe në Shkodër, Durrës e Kavajë, në bashkëpunim me myftinitë respektive.

 

IMG_7808

IMG_7828

IMG_7770