Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Z. Bujar Spahiu, merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të zhvilluar në Egjipt me temë: “Roli i fetvasë në stabilitetin e shoqërisë”, konferencë kjo e organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm për Institucionet e Dhënies së Fetvave në Botë.

Ishte pikërisht nevoja e shmangies së destabilizimit dhe keqinformimit të shoqërisë nga dhënia e fetvasë në mënyrë individuale nga persona jo kompetent në këtë fushë arsyeja që çoi në organizimin e një platforme të tillë. Platformë kjo e cila mblodhi së bashku dhjetëra përfaqësues të komuniteteve fetare në botë të cilat janë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë, ndër ta edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Gjatë punimeve të konferencës, z. Spahiu, u taku edhe me Myftiun e Egjiptit, njëkohësisht edhe Kryetari i Sekretariatit të Përgjithshëm për Institucionet e Dhënies së Fetvave në Botë, Z. Shevki Al-lam, ku diskutoi tematika të ndryshme përsa i përket çështjeve fetare që lidhin institucionin që ai përfaqëson me sekretariatin e përgjithshëm.

Më tej z. Spahiu zhvilloi disa intervista në televizione dhe radio të ndryshme të Egjiptit e më gjerë, ku shprehu opinionin e tij në lidhje me aktualitetin e temës së konferencës si dhe domosdoshmërinë e diskutimit të çështjeve të tilla në të mirë të shoqërisë.