Botimeve të KMSH iu shtua një libër i ri me titull: “Edukimi, proces i formimit të njeriut si qenie njerëzore”

Ky libër, i shkruar nga studiuesi i nderuar z. Xhemal Balla, është me të vërtetë një libër orientues për njeriun që kërkon t’i japë kuptim jetës së tij, sepse, mbi të gjitha, në të trajtohen në mënyrë të zgjeruar raportet që individi duhet të ketë me Zotin dhe njerëzit. Ky punim përmban një studim të hollësishëm në lidhje me edukimin dhe është i pasuruar me fusnota, të cilat i japin mundësinë lexuesit, që të hulumtojë edhe më tepër, duke u bazuar në argumentet kuranore dhe hadithet profetike.

Libri përbëhet prej gjashtë kapitujsh, ku prioritet i jepet fesë dhe mesazheve që ajo përçon për një edukim të mirëfilltë moralo-shpirtëror. Aty tregohet qartë se vlera dhe virtyti nuk duhet të kërkohen gjetkë, përveçse te feja, sepse në sajë të edukimit fetar, njeriu rrok kuptimin e njerëzores dhe dallohet prej krijesave të tjera. Autori nënvizon se nëpërmjet edukimit fetar, njeriu lartësohet dhe stoliset me parimet e vërteta të qytetërimit.

Duke ditur se e ardhmja e çdo njeriu është e lidhur ngushtë me ç’ka ai ka përjetuar në fëmijëri dhe në rini, është e nevojshme që në familje dhe në shkollë njeriu të ushqehet me frymën fetare e kombëtare. Vetëm duke mbjellë farë të përzgjedhur të përbërë prej fesë, vetëdijes kombëtare dhe traditës, do të kemi përmirësim të dukshëm të individit, familjes, shoqërisë e kombit. Vetëm atëherë do të shohim se si përgatiten brezat me shpirt e moral të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në një lulishte parajsore.

Duke filluar që nga e hëna, librin mund ta gjeni te libraria “Miqtë e Librit”, pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.