Zani_i_Nalte_90vjet04Mbrëmjen e së premtes, më 6 dhjetor 2013, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zgjodhi Shkodrën si stacionin e radhës, për shfaqjen premierë të dokumentarit mbi 90 vjetorin e revistës “Zani i Naltë”.

Aktiviteti që u zhvillua në kinema “Millenium”, mblodhi personalitete të fesë, kulturës, drejtues lokalë, imamë, drejtues të medresesë, shoqatave islame, etj.

Në këtë shfaqje premierë të dokumentarit mbi 90 vjetorin e revistës islame “Zani i Naltë”, merrte pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Gazmend Aga, Drejtori i Kulturës dhe revistës “Zani i Naltë”, z. Genti Kruja, Myftiu i Lezhës, H. Erton Yzeirllari dhe Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj. Të pranishëm ishin edhe Kryetari i Këshillit Bashkikiak Shkodër, z. Bardhyl Lohja dhe Drejtori i Bibliotekës së Shkodrës, z. Gjovalin Çuni.

Të pranishmit i përshëndeti  nënkryetari i KMSH-së, H. Gazmend Aga, i cili shprehu kënaqësinë e tij për interesimin e madh të besimtarëve shkodranë, të rinjve në mesin e tyre, për këtë aktivitet në nderim të një gjurme të ndritur të brezave të shkuar myslimanë, të konkretizuara në një revistë plot vlerë e udhëzim.

Nënkryetari Aga vlerësoi kontributin e hoxhallarëve dhe intelektualëve shkodranë në revistën “Zani i Naltë” duke theksuar se këto gjurmë të ndritura duhen pasuar dhe çuar përpara edhe nga brezi i ri, si një amanet që na bashkon.

Ndërsa Drejtori i revistës “Zani i Naltë”, z. Genti Kruja, në fjalën e tij përshëndetëse, vuri theksin te nevoja e studimit të kontributeve fetare, filozofike, sociale e kulturore në 16 vitet e para të revistës “Zani i Naltë”. Ai theksoi se me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori vendimin e rimëkëmbjes së kësaj reviste me emër, duke bërë që sot, në harkun e një viti, të botohen 5 numra në 600 faqe, me materiale të bollshme, studime, analiza, biografi dijetarësh etj, që sinjalizojnë se revista po shkon në drejtimin e duhur.

Ndërkohë Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe redaksinë e revistës “Zani i Naltë” për prodhimin e këtij dokumentari me vlerë, që na sjell në vëmendje kontributet e vyera të myslimanëve shqiptarë në rrugën e formësimit të identitetit kombëtar, me dije, përkushtim, qytetari e mbështetje në Zotin.

Më pas, për rreth 45 minuta, të pranishmit kanë ndjekur me kureshtje dokumentarin mbi 90 vjetorin e revistës “Zani i Naltë”, ku studiues, shkrimtarë, publicistë, gazetarë e drejtues të KMSH-së, kanë shfaqur mendimet dhe vlerësimet për revistën, të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e saj.

 

549611_473002582808273_1857983319_nZani_i_Nalte_90vjet06Zani_i_Nalte_90vjet01Zani_i_Nalte_90vjet02Zani_i_Nalte_90vjet03