08_Page_01Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Bibliotekën e Shkodrës ka arritur të dixhitalizojë të plotë revistën “Zani i Naltë” (1923-1939), ndërkohë që para kësaj është dixhitalizuar edhe revista “Kultura Islame” (1939-1946).

KMSH prej kohësh kishte nisur një punë të gjatë kërkimi të burimeve të më se 150 numrave origjinalë të revistës “Zani i Naltë” (1923-1939) me rreth 5.000 faqe. Kështu, pas gjetjes dhe verifikimit të këtyre numrave, është bërë i mundur skanimi i plotë i kolanës 16 vjeçare të revistës “Zani i Naltë”.

KMSH me këtë rast falënderon në mënyrë të veçantë Bibliotekën e qytetit Shkodër, drejtorin e saj z. Gjovalin Çuni për mundësinë dhe lehtësinë që ka treguar në skanimin e shumicës së kolanës, si dhe punonjësen e palodhur të bibliotekës znj. Sidita Halluni. Një kontribut të veçantë kanë gjithashtu Dr. Hasan Bello dhe z. Ferit Hafizi, për sigurimin e numrave që i mungonin bibliotekës.

Revista “Zani i Naltë” është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923 menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas Kongresit të parë Mysliman Shqiptar. Gjatë 16 viteve të jetës së saj, ajo botoi një sërë artikujsh, që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet dhe niveli i mendimit teologjik shqiptar, gjatë periudhës së postpavarësisë. E gjithë përmbajtja e revistës është një pasuri e çmueshme kulturore, është një traditë e bukur fetaro-atdhetare, është një ndihmesë e vyer në publicistikën shqiptare.Studiues të ndryshëm, shqiptarë e të huaj të besimit islam e të besimeve të tjera, me monografi e përmbledhje historike e kulturore, me studime e artikuj të shumtë në organe shtypi kanë bërë përshkrime, kanë paraqitur analiza, kanë nxjerrë konkluzione, kanë dhënë gjykime e kanë shprehur vlerësime për kontributin e gjithanshëm që revista “Zani i Naltë” ka arritur gjatë ekzistencës së saj. Pas disa dekadave shkëputje, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka rithemeluar revistën “Zani i Naltë”, një revistë shkencore-kulturore, periodike, tremujore, duke nxjerrë kështu edhe numrin e parë të saj Tetor-Nëntor-Dhjetor 2012. Rikthimi i revistës “Zani i Naltë” erdhi në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, në konsolidimin e të cilit ka kontribuuar shumë me shkrimet dhe artikujt e saj patriotikë.