Nga H. Bujar Spahiu
Motra dhe vëllezër besimtarë, në muzgun e ditës së sotme futemi me lejen e Zotit në dhjetë ditët e Dhul Hixhes.
Allahu i Madhëruar është Krijuesi dhe Njohësi absolut i gjithçkaje që ne njohim e nuk njohim, ndër to, është Krijuesi i Kohës, si i Tillë i Ai zgjedh të shënjojë edhe Kohën.
Ne na takon të ndjekim me përpikmëri këshillat dhe urdhëresat që na janë dhënë nga Allahu nëpërmjet Kuranit Famëlartë dhe Profetit Muhamed (a.s.).
Zoti i Gjithëdijshëm, ashtu siç ka zgjedhur Ramazanin, Natën e Kadrit, Ditën e Xhuma, Ditën e Arafatit, ka veçuar edhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul-hixhe.
Zoti i Lartësuar përdor shenja të veçanta për t’i dhënë rëndësi diçkaje, për dhjetë ditët për të cilat po flasim, Ai betohet në Kuran:‎
‎“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët (e para të muajit dhul-hixhe)!” (El-Fexhr, 1-2)‎.
Ai është Allahu, Betimi i Tij është mirësi e madhe për ne, për të kuptuar rëndësinë e kohës, vendit apo një adhurimi të caktuar.
Në këto dhjetë ditë besimtari duhet të shtojë vëmendjen dhe rrisë vigjilencën ndaj adhurimeve, përkushtimit në të vepruarit e veprave të cilat janë të lavdëruara te Allahu.
Ai i di nevojat tona më mirë se ne vetë, kjo është e padiskutueshme, dhe urtësia pse këto ditë janë të zgjedhura i takon vetëm Atij.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Zoti yt krijon çfarë të dojë dhe zgjedh. Nuk u ‎takon atyre zgjedhja. I lartësuar qoftë Allahu nga ajo që i shoqërojnë.” (el-Kasas, 68)‎
Dhul-hixhe është muaji ku bëhet nisja për ‎haxh:
“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (el-Bekare, 197)
Fatkeqësisht për besimtarët nga mbarë bota, jasht arabisë, është viti i dytë që nuk mundën të shkojnë në haxh, kështu që vlerësimi i këtyre ditëve merr një vlerë edhe më të lartë.
Prej besimtarit pritet që këto 10 ditë kaq me vlerë tek Zoti, t’i mbushë me ibadet dhe vepra ‎të mira. Në një hadith, Pejgamberi (a.s.) thotë:
”Gjatë jetës tuaj, Zoti u dërgon puhiza, ‎prandaj ekspozohuni ndaj tyre.”‎
Në këto ditë përvëluese vere, ky dhjetë ditësh është vërtetë një puhizë që nuk duhet të neglizhohet.
Sahabët e Pejgamberit (a.s.) e përmendnin shpesh Zotin këto 10 ditë, brenda shtëpisë, brenda në xhami dhe kudo ku lëviznin jasht.
Një vepër e pëlqyer këto ditë është edhe dhënia e sadakës, shpërblimi i të cilës ‎shumëfishohet.‎
Është një kohë me temperatura të larta, por preferohet gjithashtu edhe agjërimi i 9 ditëve të dhul-hixhes, e në veçanti agjërimi i ditës ‎së Arafatit, pasi Pejgamberi (a.s.) ka thënë:
”Agjërimi i ditës së Arafatit, i fshin ‎gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm.” ‎
Ëmbëlsia dhe shpërblimi i adhurimeve në kushte të vështira është i paçmueshëm te Allahu (xh.sh.).
Ju uroj gjithë besimtarët për këto dhjetë ditë të bekuara dhe na gjettë Kurban Bajrami gëzuar!