Gjatë qëndrimit në Medine, Kryetari i KMSH, H. Bujar Spahiu, së bashku me delegacionin e tij zhvilloi një vizitë pune pranë Kompleksit të mirënjohur “Mbreti Fehd” për Botimin e Kuranit, ku u prit nga përfaqësues të lartë të kompleksit, me në krye z. Khalid Suleiman el-Nefisi, Sekretar i Përgjithshëm i qendrës në fjalë.

Gjatë takimit kryetari Spahiu i njohu mikpritësit me institucionin e KMSH dhe sfida që ai përballon çdo ditë në përcjelljen e mesazhit të islamit në shoqërinë shqiptare. Po ashtu kryetari Spahiu i njohu ata me sfidat që ka kaluar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në rrugëtimin 100 vjeçar të tij që prej pavarësimit.

Nga ana e tij, z. el-Nefisi e njohu kryetarin Spahiu me Kompleksin “Mbreti Fehd” dhe traditën e shkëlqyer të kësaj shtëpie botuese të Kuranit Famëlartë, kontributin mbarëbotëror që ajo ka në botimin dhe përhapjen e kopjeve të librit të shenjtë në mbi 70 gjuhë e 80 versione si dhe zhvillimin e saj të vazhdueshëm për t’ju përgjigjur nevojave të kohës.

Më tej, u zhvillua një mbledhje ndërmjet dy delegacioneve, ku në krye të delegacionit mikpritës kësaj here ishte z. Emir el-Karaui, zëvendës Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Shkencore pranë të njëjtit institucion.

Gjatë mbledhjes u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunime në projekte të mundshme në të ardhmen për t’i shërbyer Kuranit Famëlartë në Shqipëri.