Ashtu si zakonisht aktiviteti filloi menjëherë pas faljes së namazit të akshamit, ku imami i Xhamisë së Fierit, z. Hysni Merja, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në aktivitet, lexoi disa ajete nga Kur’ani famëlartë.

Në fjalën e tij përshëndetëse për besimtarët e rastit, Myftiu i zonës, z. Bilal Bodlli, theksoi rëndësinë e takimeve të tilla në rigjenerimin e vlerave, moralit dhe praktikave të besimit Islam në jetën tonë të përditshme.

Më tej, ishte radha e Drejtorit të Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, të referonte rreth rëndësisë së namazit gjatë muajit të shenjtë të ramazanit duke e ilustruar fjalimin e tij me shembuj të shumtë nga jeta e Profetit (a.s)

“Agjërimi i këtij muaji të shenjtë nga besimtarët myslimanë duhet që detyrimisht të shoqërohet me adhurim të shumtë përtej 5 vakteve të përditshme të namazit, pasi edhe shpërblimi i Zotit të gjithësisë për adhurimet e kryera gjatë këtij muaji, është shumë herë më i lartë sesa gjatë muajve të tjerë të vitit. Shembulli më i mirë për të gjithë ne është Profeti a.s, i cili i kushtonte një rëndësi të veçantë namazit të natës gjatë muajit të ramazanit”- tha z. Demetja gjatë fjalës së tij.

Pasi tij, ishte radha e profesorit të ardhur nga Jordania z. Xhemal El Seferti, i cili aktualisht jep mësim në Kolegjin Universitar Bedër, të referonte mbi pritjen që duhet ti bëjnë besimtarët myslimanë muajit të shenjtë të ramazanit.

Sipas tij, çdo besimtar mysliman duhet tija përshtatë jetën e tij mënyrës sesi Profeti Muhammed a.s i kalonte ditët gjatë këtij muaji.

“Këtë muaj të begatë që po afron duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për të përfituar sa më shumë nga mëshira dhe begatitë e Allahut Xh.sh. Duatë e shumta, leximi i kur’anit, namazi i natës apo veprat e mira si sadakaja dhe zekati duhet të jenë pjesë e jona çdo ditë të këtij muaji në të njëjtën formë siç bëntë Profeti ynë a.s”- tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të ndryshme nga besimtarët të cilët prekën tematika të ndryshme të muajit që po afron.