Programi filloi me leximin e disa ajeteve Kuranore menjëherë pas faljes së namazit të akshamit, ku ishin të pranishëm dhjetëra besimtarë myslimanë të zonës.

Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i Kulturës dhe Arsimit pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Dorian Demetja, u ndal në rëndësinë e adhurimeve të shumta përgjatë muajit të ramazanit, duke e ilustruar fjalimin e tij me shembuj të shumtë nga jeta e Profetit (a.s).

“Agjërimi i këtij muaji të shenjtë nga besimtarët myslimanë duhet që detyrimisht të shoqërohet me adhurim të shumtë përtej 5 vakteve të përditshme të namazit, pasi edhe shpërblimi i Zotit të gjithësisë për adhurimet e kryera gjatë këtij muaji, është shumë herë më i lartë sesa gjatë muajve të tjerë të vitit. Shembulli më i mirë për të gjithë ne është Profeti a.s, i cili i kushtonte një rëndësi të veçantë namazit të natës gjatë muajit të ramazanit”- tha z. Demetja gjatë fjalës së tij.

Më tej, fjalën e mori i ftuari i dytë, z. Veton Tulla, Pedagog i Departamentit të Shkencave Islame pranë KU Bedër, i cili bëri një përmbledhje të kuptimit të 3 muajve të begatë në të cilët ndodhemi, rëndësinë që kanë ato në jetën e besimtarëve myslimanë dhe mënyrën se si ne duhet ti përjetojmë këto 3 muaj, veçanërisht muajin e Ramazanit.

“Këtë muaj të begatë që po afron duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për të përfituar sa më shumë nga mëshira dhe begatitë e Allahut Xh.sh. Duatë e shumta, leximi i kur’anit, namazi i natës apo veprat e mira si sadakaja dhe zekati duhet të jenë pjesë e jona çdo ditë të këtij muaji në të njëjtën formë siç bëntë Profeti ynë a.s”- tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me pyetje të ndryshme nga besimtarët të cilët prekën tematika të ndryshme të muajit që po afron.