Programi nisi me faljen e namazit të drekës nga imami i xhamisë për të vijuar më tej me lexim Kur’ani nga Hafiz Rushi, një ndër besimtarët myslimanë më të vjetër që frekuenton rregullisht xhaminë.

Të pranishëm për të referuar ishin Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z. Bujar Spahiu, me temën: “Kur’ani dhe vlerat e tij” si dhe Z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar pranë të njëjtit institucion, i cili njohu besimtarët me temën: “Sinqeriteti në të folur dhe veprim”.

Gjatë fjalës së tij, Nënkryetari Z. Spahiu, theksoi rëndësinë e të jetuarit sipas normave, dispozitave apo vlerave morale të parashikuara për besimtarin në Kur’anin famëlartë.

“Kurani është thelbi i jetës. Jeta e njeriut bëhet e dobishme e mbarë me aq sa njeriu e bën parim të jetës së tij Kur’anin. Kur’ani është një thirrje sovrane për njerëzit që ti udhëzojë ata në rrugën e drejtë”.- tha ai.

Ndërsa Z. Demetja, e vuri theksin mbi nijetin e pastër që duhet të karakterizojë çdo besimtar në kryerjen e detyrave apo punëve të përditshme dhe rëndësinë e shmangies së hipokrizisë.

Sipas tij, për të arritur këtë, fillimisht duhet një përkushtim dhe vendosmëri e pastër, pastaj purifikimi nga çdo interes vetjak dhe dëshira materiale, duke u ngjitur gjithmonë pas idealeve të larta morale e shpirtërore.

“Në ditët tona hipokrizia është shumë e përhapur. Në rastin e hipokrizisë kemi të bëjmë me një gënjeshtër të dyfishtë. Hipokriti, duke thënë se po e kryen për hir të Allahut një punë që, në të vërtetë po e kryen për hir të njerëzve, thotë një gënjeshtër. Po ashtu, duke pohuar se e pret shpërblimin nga Allahu ndërkohë që në të vërtetë e pret nga njerëzit, shpreh edhe një gënjeshtër të dytë”.- tha Z. Demetja gjatë fjalës së tij.

Në mbyllje të programit, Myftiu i Peshkopisë Z. Muis Kurtulla, falënderoi referuesit për mesazhet mjaft të rëndësishme që ndanë me besimtarët dhe theksoi se këto takime janë një rifreskim i nevojshëm për besimin tonë.