libri konferences se 100 vjetorit (1)

Del nga botimi libri i konferencës së 100 vjetorit “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”

Bashkësitë Islame Shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, respektivisht, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), si dhe përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike të prijësve myslimanë, të cilët luajtën një rol të jashtëzakonshëm në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, organizuan më 28 dhe 29 shtator 2012, një konferencë shkencore mbarëshqiptare, të titulluar “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”.

Në këtë konferencë morën pjesë rreth 40 studiues shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, të cilët kanë folur pikërisht për personalitetet e shquara shqiptare të kulturës islame, të cilët kryesisht janë dijetarë dhe prijës fetarë, por nuk mungojnë edhe myderrizë, profesorë katedrash universitare, udhëheqës politikë, deputetë, senatorë, ministra, mjekë, kryetarë parlamenti, kryetarë bashkish, liderë dhe udhëheqës të lartë myslimanë, në trojet tona dhe diasporë. E përbashkëta e këtyre personaliteteve ishte se ishin të brumosur me besimin e lartë islam dhe me dashurinë për atdheun dhe shërbimin ndaj vendit dhe popullit shqiptar.

Kështu në kuadër të përvjetorit të kësaj konference e para për nga përmasat, u bë i mundur botimi i plotë i të gjitha kumtesave të studiuesve, si dhe përshëndetjet mbajtur nga krerët e bashkësive islame shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, përshëndetja e kryeministrit Berisha, telegramet e urimit, fjala përmbyllëse, etj. Ky libër që vjen si një botim i përbashkët i tre bashkësive islame shqiptare, do të shërbejë për të gjithë studiuesit dhe të interesuarit për temën mjaft të rëndësishëm të cilën mbart.

Gjatë shtatë seancave shkencore të konferencës, u konstatua përmes fakteve të pazbuluara më parë se, roli i klerikëve myslimanë ka qenë vendimtar në pavarësinë e kombit shqiptar dhe në mirëfunksionimin e shtetit dhe formësimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare.

Gjithashtu periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, falë kjo e prijësve të shquar fetarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar.

Në këtë konferencë janë trajtuar tema dhe nëntema mjaft të larmishme si:

 

         Angazhimi i prijësve myslimanë në ngritjen e vetëdijes kombëtare;

         Disa nga figurat më të shquara të prijësve myslimanë në shtetformim;

         H. Vehbi Dibra, klerik dhe burrë shteti;

         Komuniteti Mysliman, medresetë, etj.;

         Kontributi i dijetarëve myslimanë në formësimin dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar;

         Kontributi i dijetarëve myslimanë në gjuhën dhe letërsinë shqipe; Lidhjet e filozofisë islame me atë kombëtare;

         Kontributi i dijetarëve në formësimin e identitetit tonë kombëtar;

         Kontributi i drejtuesve myslimanë në procesin e shtetformimit dhe kombformimit;

         Kontributi i Prijësve Myslimanë Shqiptar në lëvrimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe;

         Kontributi i prijësve myslimanë shqiptarë në Rilindjen Kombëtare;

         Kontributi i prijësve myslimanë shqiptarë në Shpalljen e Pavarësisë;

         Kontributi i prijësve myslimanë shqiptarë për forcimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare;

         Kontributi i personaliteteve të shquara islame në shpalljen e pavarësisë;

         Kontributi i prijësve myslimanë në Lidhjen e Prizrenit;

         Kontributi i prijësve myslimanë në mbrojtje të hapësirës etnike shqiptare;

         Krijimi dhe themelimi i institucioneve të pavarura islame,

         Lëvizja Kombëtare;

         Lidhja Shqiptare e Pejës;

         Lidhja Shqiptare e Prizrenit;

         Marrëdhëniet e Bashkësive Islame shqiptare me shtetet dhe institucionet shtetërore;

         Marrëdhëniet e Komunitetit Mysliman me shtetin shqiptar në dallgët e historisë;

         Persekutimi i klerit mysliman nga regjimi komunist;

         Persekutimi i prijësve myslimanë shqiptarë në vitet e diktaturës komuniste;

         Ringritja e institucioneve fetare dhe arsimore pas komunizmit.

    Ringritja e institucioneve fetare dhe arsimore pas rënies së komunizmit dhe përballja me sfidat e kohës.

         Roli i prijësve myslimanë në Rilindjen Kombëtare;

         Roli i prijësve myslimanë në shpalljen e pavarësisë;

         Roli i ulemave në bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare;

         Themelimi i institucioneve islame pas shpalljes së pavarësisë;

         Themelimi i shkollave dhe medreseve;

         Zhvillimi i arsimit islam në hapësirën shqiptare.