Doli në qarkullim botimi i fundit i KMSH-së me titull:
AUTORITETI I ISLAMIT – SIMBOLI I DASHURISË – MREKULLIA E KOHËS
Në këtë libër është përfshirë kryesisht jeta dhe vepra e tre dijetarëve të mëdhenj, të cilët kanë jetuar në shekujt XI – Ebu Hamid El-Gazali, XIII – Mevlana Xhelaleddin Rumi dhe XX – Bediuzzaman Said Nursi. Këta dijetarë të fesë, punuan shumë për të dhënë interpretimet dhe mesazhet e duhura të Islamit në kohën kur kanë jetuar. Duke bërë këtë, ata janë përballur me sprova dhe sfida të mëdha në rrugën e tyre për të orientuar njerëzit drejt besimit të pastër, larg dyshimeve, sajesave dhe kotësive.
Imam Gazali, i cili ka jetuar në atë epokë, ishte një dijetar i madh i botës islame dhe shquhet për kritikat e tij adresuar filozofëve. El-Gazali, i njohur në mesjetë si Algazel, zë vend unik në historinë e mendimit fetar, me gjerësinë e mendimit, me origjinalitetin e ideve dhe me ndikimin e jehonën e madhe në botën islame dhe atë joislame. Jeta e tij i ishte kushtuar zgjidhjes së mistereve të ekzistencës, i cili duke tejkaluar dyshimet e tij filozofike e duke arritur iluminim shpirtëror, u bë një model i veçantë për kërkuesit e së vërtetës kudo në botë. Imam Gazali vendosi në mënyrë të shkëlqyer baraspeshën ndërmjet shpirtërores dhe fizikes, duke i konsideruar ato në lidhje të ngushta dhe të pashkëputshme nga njëra-tjetra.
Para se të njihej me Shemsi Tebrizin, Mevlana ishte një dijetar i madh dhe me zë. Por, pasi njohu Shemsin, brenda tij shpërtheu dashuria ndaj Zotit e njerëzores dhe poezinë e artin ai i përdori në shërbim të fesë e frymëzimit. Mevlana kërkonte nga vetja dhe ndjekësit, afrimin me Zotin përmes njohjes së thellë. Ashtu si te gjithë sufistët, por me një dimension më të gjerë, mjeti që përdori Mevlana në kërkimin e së vërtetës, ishte aftësia e njohjes me dashuri. I destinuar që të bindë njerëzit se me dashuri mund të bëjnë mrekulli, Mevlana ka arritur që të studiohet ndër shekuj nga shumë universitete dhe studiues me emër në mbarë botën.
Me sulmet e llojeve të ndryshme ndaj themeleve të besimit, të ndërmarra nga materialistët, ateistët e të tjerë, në emër të shkencës e progresit, e bënë Bediuzzamanin që të kuptonte nevojën urgjente e themelore, e cila konsistonte në ruajtjen dhe forcimin e besimit. Metoda e tij analizon besimin e mohimin dhe demonstron përmes argumenteve të qarta logjike se, duke ndjekur metodën e Kur’anit, jo vetëm që është e mundur t’i provosh në mënyrë të arsyeshme të gjitha të vërtetat e besimit, por demonstron gjithashtu, se këto të vërteta kanë të vetmin shpjegim racional për ekzistencën, njeriun dhe universin. Ai analizoi pareshtur sëmundjet shekullit, i diagnostikoi ato dhe paraqiti kurat përkatëse, duke ia kushtuar tërë jetën shërimit të tyre.
Nëpërmjet botimit të këtij libri, synohet që lexuesi të informohet jo vetëm me njohuritë e duhura rreth tyre, por të shërbejë edhe për të kuptuar mirë veprat e tyre të paharruara, që vazhdojnë të shërbejnë edhe sot me thellësinë e gjerësinë e madhe që i karakterizojnë.
*Librin mund ta gjeni te libraria “Miqtë e Librit”, pranë KMSH-së.