“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më Bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Kuran, 96:1-5)
Islami është fe që nxit dhe stimulon diturinë, kjo si nëpërmjet ajeteve Kuranore ashtu edhe nëpërmjet Haditheve të Profetit Muhamed (a.s.).
Në këtë frymë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i jep një rëndësi të veçantë përzgjedhjes dhe botimit të literaturës.
Përzgjedhja, përkthimi, redaktimi dhe përgatitja për shtyp ndiqen nga Drejtoria e Kulturës pranë KMSH-së.
Kjo drejtori krahas literaturës është edhe përgjegjëse për botimet periodike të dy revistave, organe zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Revista Shkencore ZANI I NALTË dhe Revista DRITA ISLAME.
Më poshtë ju risjellim në vëmendje disa nga botimet që gjenden në librari dhe ato në proces.
– Botimi i librit: “Argumentet bazë të medh’hebit Hanefi”, libër ku trajtohen me argumente disa çështje shumë të diskutueshme në mesin e myslimanëve në botë, por edhe në Shqipëri.
– Botimi i një fletëpalosjeje: “Hyrje në namaz”, në të cilën shpjegohet mënyra e marrjes së abdesit dhe e faljes së namazit, ilustruar me figura.
– Botimi i librit: “Ilmihal i Zgjeruar”, botim i tri Bashkësive Islame, Shqipëri – Kosovë – Maqedoni.
– Botimi i librit: “Ilmihal për fillestarë”, i cili shërben së bashku me Elifbanë, si libra bazë në kurset që zhvillohen nëpër xhamitë e vendit dhe jo vetëm.
– Pritet botimi i kolanës: “El-Ihtijar litalijli el-muhtar”, i cili vjen në shqip prej 4 vëllimesh nga tri Bashkësitë Islame, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, dhe shpjegon jurisprudencën e medhhebit hanefi.
– “Muhamedi, i dërguari i fundit”, është një tjetër botim që përshkruan jetën e krenarisë së njerëzimit, Profetit Muhamed (a.s.)
– Botimi në dy vëllime i librit: “Jeta e Sahabëve”, i cili, përveçse trajton jetën shembullore të shokëve të Profetit Muhamed (a.s.), përfshin edhe një histori të mirëfilltë të Islamit, si dhe një pasqyrim të imtësishëm të jetës së Profetit tonë.
– Botimi i librit: “Tefsiri i sures Fatiha”. Ky libër vjen si përmbledhje dhe përshtatje në gjuhën shqipe nga z. Xhemal Balla, tefsir i shkruar veç e veç nga tre dijetarët e mëdhenj shqiptarë, Hafiz Ibrahim Dalliu – Hafiz Ali Korça – Haxhi Vehbi Dibra.
– Botimi i librit: “Tefsiri i sureve të shkurtra të Kuranit”. Në këtë libër tefsiri janë
përmbledhur disa komentime të dijetarëve të shquar, duke filluar me suren Fatiha, pastaj me suren Duha dhe me radhë deri te surja Nas.
– Botimi i një libërthi: “40 hadithe mbi moralin”.
– Një projekt i rëndësishëm, i cili aktualisht është në proces, është botimi i librit me titull: “Hadithet kudsij në librat kryesore të hadithit”, i cili përmban 400 hadithe dhe komentohen nga Imam Neveviu dhe Imam Kastalani.
– Botimi i kolanës me 10 vëllime: “Kurani dhe njeriu”, i cili i bën një koment veprës “Ajka e kuptimit të Kurani Kerimit” të Hafiz Ibrahim Dalliut.
– Libri, “Me Zotin mes njerëzve”, është një tjetër libër, permbledhje shkrimesh me tematika të larmishme të përmbledhura nga artikuj të shkruar në revistat “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë” nga autori.